Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania, Franca e Italia pezullojnë vaksinën anti-Covid të Oxford-AstraZeneca


Gjermania, Franca e Italia kanë pezulluar përkohësisht vaksinën anti-Covid të kompanisë Oxford-AstraZeneca.

Vendimi i sotëm i tre vendeve më të mëdha të BE-së vjen pasi një masë e tillë është marrë më herët nga 9 anëtarë të tjerë të unionit.

Autoritetet e tre vendeve thanë se po e ndërrmarrin një masë të tillë si masë paraprake, shkruan AP.

Gjermania e ndaloi sot vaksinën anti-Covid të AstraZeneca duke u bërë vendi më i madh dhe më i fuqishëm i BE-së që e pezullon atë.

Ministri i Shëndetësisë i vendit tha se vendimi u mor me këshillën e rregullatorit kombëtar të vaksinave të Gjermanisë, Instituti Paul Ehrlich, i cili bëri thirrje për hetime të mëtejshme në shtatë raste të raportuara të mpiksjeve të gjakut në trurin e njerëzve që ishin vaksinuar.

“Vendimi i sotëm është thjesht një masë paraprake.” – tha Jens Spahn.

Rregullatori i ilaçeve në Itali njoftoi të hënën ndalimin e përkohshëm të të përdorimit të vaksinës së koronavirusit të AstraZeneca mes raporteve të reja të njerëzve që zhvillojnë mpiksje të rrezikshme të gjakut pas bërjes së saj. Aifa e Italisë tha se vendimi ‘u mor në përputhje me masa të ngjashme të miratuara nga vendet e tjera evropiane’.

Ajo shtoi se ‘hetimi i mëtejshëm i çështjes është në zhvillim’. Njoftimi pasoi një ditë nga vdekja e fundit e njohur e një personi në Itali menjëherë pas marrjes së vaksinës. Një mësues muzike 57-vjeçar, i cili bëri vaksinën në rajonin verior të Piemontes të shtunën në mbrëmje, si pjesë e një fushate kombëtare për vaksinimin e mësuesve, vdiq në shtëpi mëngjesin e së nesërmes.

Lidhur me vdekjen është urdhëruar një autopsi, si dhe për një pjesë të vdekjeve të tjera javën e kaluar në Itali të personave që kishin bërë vaksinën.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se Franca po pezullon përdorimin e vaksinës AstraZeneca të koronavirusit si masë paraprake.

Kreu i Elizesë tha një konference shtypi të hënën se autoritetet franceze kanë vendosur të pezullojnë vaksinën të paktën deri të martën pasdite, kur Agjencia Evropiane e Barnave do të lëshojë rekomandimin e saj mbi vaksinën. Ai nuk dha hollësi për arsyet e vendimit.

Ai tha se Franca shpreson të jetë në gjendje të vaksinojë përsëri me vaksinat e AstraZeneca.

Disa vende, duke filluar me Danimarkën javën e kaluar, kanë ndaluar përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca në ditët e fundit për të hetuar rastet e mpiksjes së gjakut që ndodhën pas vaksinimit. Ato përfshijnë Irlandën, Holandën, Norvegjinë, Danimarkën, Islandën, Letoninë, Lituaninë, Estoninë, Bullgarinë.

Kompania AstraZeneca dhe autoritetet globale të shëndetit këmbëngulin se vaksina është e sigurt.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *