Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet ish-presidentja e përkohshme e Bolivisë Jeanine Anez, akuzohet për grusht shteti në vitin 2019


Jeanine Anez, e cila mori pushtetin në Bolivi si presidente e përkohshme pas rrëzimit në nëntor 2019 të presidentit të atëhershëm Evo Morales, është arrestuar pasi akuzohet për grusht shteti, ka njoftuar qeveria e re.

Urdhri i arrestimit të Anez u lëshua nga një gjykatë e vendit të premten dhe u ekzekutua të shtunën në mëngjes, njoftoi ministri Carlos del Castillo në Twitter. Ai e përshëndeti zhvillimin si një hap përpara për t’i dhënë popullit bolivian drejtësinë e merituar.

Media boliviane tregoi pamjet e politikanes që u shoqërua nga policia në paraburgim. Anez dhe anëtarët e tjerë të qeverisë së saj janë akuzuar për kryengritje, terrorizëm dhe komplot për mënyrën se si ata morën dhe e mbajtën pushtetin.

Ndërkohë Anez denoncoi qeverinë boliviane, duke thënë se arrestimi i saj ishte ‘abuzim dhe përndjekje politike’, duke mohuar që një grusht shteti të ketë ndodhur ndonjëherë në vend.

Anez shërbeu si udhëheqëse e Bolivisë pasi protestat e dhunshme masive në vitin 2019 detyruan Morales të jepte dorëheqjen dhe të largohej nga vendi. Kryengritja u shkaktua nga akuzat për mashtrim zgjedhor, të cilat më vonë u zbuluan se ishin kryesisht të pabazuara.

Qeveria e Anez vendosi ushtrinë kundër mbështetësve të Morales, të cilët organizuan kundër-protesta dhe ajo përkohësisht u dha trupave imunitet nga ndjekja penale për veprimet e tyre ndërsa ata shuan disidencën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *