Një studim i ri që ekzaminon efikasitetin e vaksinave të tanishme kundër varianteve të Covid-19, atij britanik e afrikano-jugor risjell shqetësimin e problematikës që mund të shfaqet në të ardhmen me këtë virus.
Studimi, i botuar në revistën shkencore ‘Nature’ paralajmëron se brezi i tanishëm i vaksinave dhe trajtimeve të antitrupave monoklonalë mund të humbasin garën kundër koronavirusit, duke rritur mundësinë e frikshme dhe të hapur të riinfektimit, nëse përhapja e vaksinave nuk përshpejtohet në të gjithë botën për të parandaluar më tej mutacionet.
Gjetjet e studimit po zbulohen mes rezultateve të fundit në lidhje me vaksinën Novavax, e cila raportoi një normë efikasiteti prej 90 përqind kundër variantit britanik të koronavirusit 49.4 përqind efikasitet ndaj atij afrikano-jugor.
“Studimi ynë dhe të dhënat e reja të provave klinike tregojnë se virusi po ecën me ritme të shpejta për t’iu shmangur vaksinave.” – tha autori kryesor i studimit, David Ho.
Ho paralajmëroi se, me vazhdimin e ‘përhapjes së shfrenuar’ të virusit në zona të caktuara të globit, njerëzimi mund të jetë i detyruar të përballet me koronavirusin siç ka bërë me gripin, duke pritur përherë variantet e reja të tij.
Ho dhe ekipi i tij zbuluan se antitrupat e vaksinave Pfizer-BioNTech ose Moderna ishin më pak të efektshëm në neutralizimin e varianteve britanik e afrikano-jugor të Covid-19.