Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Në listën e PS-së ka prapë të inkriminuar, SHBA-ja e BE-ja të flasin për këtë sot e jo pas zgjedhjeve


Kreu i Partisë Demokratike deklaroi sot se forca politike që drejton i ka të qarta prioritetet qeverisëse duke e vënë theksin te lufta kundër korrupsionit e ndarja e politikës nga krimi.

Gjatë fjalës së tij në forumin e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në Tiranë, Basha tha se reforma në drejtësi do vijojë rrugën e saj pa futur duart politike.

“Prioritetet e vendit janë të qarta. Objektivat e Partisë Demokratike, të Aleancës për Ndryshim, të koalicionit tonë, janë të qarta. Pa luftuar korrupsionin, pa ndarë politikën nga krimi, Shqipëria nuk do të ecë përpara. Ky është parakusht. Tashmë, edhe parakusht zyrtar i Bashkimit Europian dhe i Këshillit Europian. Zbatimi real i ligjit të dekriminalizimit, zgjidhja e duarve të drejtësisë, avancimi deri në fund i reformës në drejtësi, me duart larg nga partitë politike. I vetmi kontribut që partitë politike mund të japin për reformën në drejtësi është që të mbajnë duart larg.” – tha Basha.

Ai shtoi se në listën e PS-së për zgjedhjet e 25 prillit dhe në KQZ ka sërish persona me rekorde kriminale. Basha theksoi se pret që BE-ja e SHBA-ja të flasin qartë lidhur me këtë fakt sot e jo pas zgjedhjeve.

“Ne e kemi dhënë shembullin tonë, ne jemi ata që iniciuam dhe detyruam, ndonëse në pakicë, Edi Ramën të miratonte ligjin e dekriminalizimit, me ndihmën e Parlamentit Europian. Sot, në listën e Partisë Socialiste, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka prapë persona me rekorde të zeza kriminale, përfaqësues dhe bosë të krimit të organizuar. është fare e qartë dhe unë pres, që Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të flasin qartë dhe prerë për këtë sot, jo pas zgjedhjeve. Kjo qeveri dhe ky kryeministër janë në konflikt me interesin, me procesin e Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky proces do të thotë më shumë transparencë.” – shtoi Basha në fjalën e tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *