Vendosni fjalën kyçe....

Gjenden 33 kilogramë kanabis në një banesë në Gramsh, pesë të arrestuar


Policia e Elbasanit thotë se ka finalizuar sot operacionin antidrogë të koduar “Skënderbegas”, ku janë sekuestruar plot 33 kilogramë kanabis në Gramsh ndërsa janë vënë në pranga dhe pesë persona.

“Në vijim të punës për goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Elbasan, zhvilloi operacionin antidrogë të koduar ‘Skënderbegas’, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

V. V., 49 vjeç dhe L. I., 39 vjeç, të dy banues në Cërrik, A. B., 50 vjeç, A. S., 32 vjeç dhe B. Zh., 49 vjeç, të tre banues në Gramsh.”– thuhet në njoftimin e Policisë.

Mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas dispononte lëndë narkotike në banesë e tij në fshatin Skënderbegas, Gramsh, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. B. kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale rreth 33 kilogramë kanabis, 3 automjete dhe 6 aparate celuar.

“Në momentin e kontrollit të banesës janë arrestuar edhe shtetasit A. S. dhe B. Zh., të cilët kishin siguruar lëndën narkotike, si dhe shtetasit V. V. dhe L. I., të cilët do ta blinin atë.”– vijon njoftimi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *