Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet parlamentare përshpejtojnë investimet në projektet e infrastrukturës, që në janar


Projektet e infrastrukturës ujore, energjetike dhe rrugore ishin më të financuarat në muajin e parë të viti 2021.

Të dhënat e detajuara nga Ministria e Financave tregojnë se në janar projekti që mori financimet më të mëdha ishte “Burimet ujore dhe Ujitja” me një shumë prej 366 milionë lekësh ose 3 milionë eurosh. Ky projekt synon përmirësimin e sistemeve ujitëse në disa qarqe të vendit dhe financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Projekti i dytë më i financuar në janar 2021 me rreth 359 milionë lekë ishte ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë -Plloçë, që lidh malësitë e Korçës me kryeqytetin ne rrugë që kalon zonën malore të fshatrave të Juglindjes.

Projekti është kontestuar si pa fizibilitet nga ekspertët për arsye se kalon në lartësi mbi 1200 metra në disa vende që bën të vështirë mirëmbajtjen në dimër. Gjithashtu aksi është vetëm 4-5 kilometra me i shkurtër se rruga aktuale nacionale që lidhet me zonën fushore.

Projekti i tretë më i financuar në janar 2021 janë subvencionet ndaj fermerëve me 268 milionë lekë nga “Programi iPARD iI masa e tretë”. Ky projekt synon mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor me qëllim përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërinë me standardet e BE-së dhe ruajtjen e natyrës dhe mjedisit.

Gjithashtu ky projekt synon mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.

Programi i infrastrukturës bashkiake i ishte projekti i katërt më i financuar me një shumë prej 137,9 miliardë lekësh dhe By Passi i Vlorës, në radhë, me 129 milion lekë financime.

Financimet e projekteve të investimeve publike u përshpejtuan këtë janar në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga programi rreth 87 miliardë i investimeve publike me 2021, në janar janë alokuar 1,9 miliardë lekë ose 2,2 për qind e fondit total.

Ministria e Financave raportoi se në muajin janar 2021 shpenzimet për investimet kapitale ishin 64 % më të larta se në janarin 2019. Këtë vit presioni mbi shpenzimet buxhetore dhe sidomos zërin e investimeve do të jetë më i lartë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Në të shkuarën zgjedhjet kanë dhënë ndikim negativ në stabilitetin fiskal të vendit pasi, ndikojnë në rënien e performancës së arkëtimeve, teksa nga krahu tjetër shpenzimet rriten për shkak të angazhimit më të lartë të fondeve në projektet e infrastrukturës.

Në vite normale buxhetore shpenzimet publike përqendrohen në muajt e fundit të vitit. Gjatë vitit 2020 shpenzimet kapitale arritën në nivelin e 85 miliardë lekëve, por 25 % e këtij fondi, apo rreth 21 miliardë lekë u shpenzua në muajin dhjetor.

Zakonisht në tremujorin e parë investimet vijojnë në nivele të ulëta në raport me programin, ndërsa rritja graduale nis në tremujorin e tretë dhe të katërt ku vijojnë flukset më të mëdha të pagesave, duke ndjekur ecurinë e ciklit të procedurave te prokurimeve dhe punimeve. Por vitin e kaluar, tendenca e përqendrimit shkoi me tej, pasi një e katërta e fondit vjetor u krye tërësisht në muajin dhjetor.

Ministria e Financave, sipas planit të detajuar për zbatimin e buxhetit 2020, planifikoi që nga fondi total i investimeve kapitale prej 86 miliardë lekësh i përcaktuar në aktin normativ korrik 2020, në muajin dhjetor të alokonte 10 miliardë lekë, por ndërkohë janë shpenzuar më shumë se dyfishi ose 21 miliardë lekë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *