Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Mos shkoni për inatin tim te PD-ja dhe LSI-ja, unë nuk jam as ëngjëll e as i dërguari i Zotit por më jepni kohë


Në prezantimin e programit “Drejtësia që duam” kreu i qeverisë Edi Rama e konsideron 25 prillin si dita e udhëkryqit të madh për fatin e drejtësisë.

Ai u kërkon kohë shqiptarëve për të çuar deri në fund Reformën në Drejtësi dhe t’i japin atij mandatin e tretë.

Rama u shpreh se ai nuk është “i dërguari i Zotit në Tokë”, e PS as “kishë e xhami”, por sipas tij është një mision që vazhdon pa u ndalur i pa krahasueshëm me të tjerët në fushën e ndeshjes. E duke theksuar rëndësinë për çuarjen në fund të kësaj reforme, ai u bëri thirrje shqiptarëve që të mos shkojnë të votojnë për PD-në e LSI-në.

“PD-ja, LSI-ja dhe KÇK-ja sot janë tre këmbët e të keqes me dy koka presidentësh, që kërcënon fatin e Reformës në Drejtësi. Nëse juve, lodhja nga padrejtësitë, mërzia e pritjes së gjatë me dekada apo thjesht indiferenca ndaj fuqisë së votës suaj në këtë kryeluftë për të ardhmen e këtij vendi, ju çon larg qoftë më 25 Prill, në prehrin e atyre forcave për inat të qeverisë, apo ju bën të mos votoni fare për inatin tim, atëhere ju siguroj që padashje, pa e menduar, madje duke kujtuar se sinqerisht po votoni për ndryshimin, do të bëni një prej atyre gabimeve fatale, që i bën një gjeneratë dhe i paguan gjenerata tjetër. Të kuptohemi mire, unë nuk dua të them në asnjë mënyrë që ju nuk keni arsye për të qenë të inatosur me mua, me qeverinë, me PS-në. Përkundrazi ju mund të keni plot arsye për të qenë kritikë me ne që prej 4 vitesh, drejtojmë vendin pa të tjerë në prehër.

Ju na keni dhënë mbështetje të madhe, dhe mbase mund të keni shkaqe të drejta për t’u ndjerë të zhgënjyer personalisht apo familjerisht sepse nuk keni marrë atë që meritoni, apo sepse dikush tjetër e ka marrë pa meritë, atë që ju mendoni se ju e meritoni. Ju ndoshta jeni të pamotivuar që të na dëgjoni sërish për atë që kemi bërë e po bëjmë, sepse djali, vajza e fqinjit përballë, apo shoqja e shoku juaj i Universitetit apo i rrugës poshtë pallatit ka ikur nga Shqipëria, sepse nuk e gjeti atqë që kërkoi këtu. Apo sepse ende në shtëpinë tuaj, diku në qendër apo periferi uji nuk vjen 24 orë dhe se dritat ikin akoma sepse fryn erë e fortë. Por a mund të dorëzoheni në duart e lojës, zhgënjimit dhe indiferencës, tamam tani?! Tani kur zgjedhja për Drejtësinë është më e qartë se kurrë më parë dhe kur 25 Prilli është dita e një udhëkryqi të madh për fatin e Drejtësisë.

Unë nuk jam i dërguari i Zotit në tokë, as engjëll nuk jam, as është kjo që po vjen një zgjedhje mes ëngjëjsh dhe djajsh. Sepse që të jem i sinqertë deri në fund, PS dhe unë vetë nuk jemi zgjedhje ideale në këtë udhëkryq, nuk jemi pa të meta, pa gabime, qoftë edhe për faktin se janë pafund njerëzit e zakonshëm në këtë vend, që të paktën një herë nuk e kanë marrë shërbimin në këtë vend që i takon. Ne nuk jemi as pyll pa derra, se batakçinj e pisanjos që e kanë njollosur emrin e kësaj partie ka pasur e ka akoma në zyrat e këtij shteti, por PS nuk është as kishë e as xhami, është një mision që vazhdon pa u ndalur e një karakter i pa krahasueshëm me të tjerët në fushën e ndeshjes. E në radhë të parë në krye të betejës për Drejtësinë që populli shqiptar e kërkon.”– tha Rama. Më pas ai shtoi: “Për të gjitha këto na duhet durim, dhe kohë, kohën duhet të ma jepni ju.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *