Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutimi i 31-vjeçarit në Vlorë, kapet një nga autorët e dyshuar e gjendet armën e krimit


Policia e Vlorës ka njoftuar se e ka kapur njërin prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 31-vjeçarit Tauland Beqiraj (Gjika). Sipas bluve, bëhet fjalë për 44-vjeçarin me iniciale H.J., banues në Vlorë.

Në njoftim thuhet gjithashtu se është sekuestruar edhe një automatik tip ‘Kallashnikov’ si dhe një mjet tip ‘Ford’ me të cilin është përpjekur të largohet nga vendi i ngjarjes bashkë me bashkëpunëtorin e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e sotme në rrugën Transballkanike, pranë Gjykatës së Apelit ku 31-vjeçari Tauland Beqiraj (Gjika, Manaj) u qëllua për vdekje teksa ecte në trotuar.

Beqiraj është emër i njohur për policinë e Vlorës. Ai është arrestuar dy herë të tjera por është liruar po kaq herë nga gjykata. Në një rast ai është përfshirë në një përplasje me armë në vitin 2018 në qytetin e Vlorës, përplasje ku u plagosën tre persona, mes të cilëve edhe vetë ai.

Njoftimi

Policia e Vlorës kap dhe arreston në kohë rekord një nga autorët e dyshuar të vrasjes së 31-vjeçarit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe forcat e posaçme “Shqiponjat”, pas njoftimit të marrë se në lagjen “Bashkimi”, në afërsi të Gjykatës së Apelit Vlorë, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje.

Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, krehjes së zonës dhe reagimit të menjëhershëm u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasi:

H.J., 44 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin tip “Ford”, me të cilin autori tentoi të largohej, si dhe një armë zjarri kallashnikov.

Ky shtetas, sot, rreth orës 14:20, në lagjen “Bashkimi”, Vlorë, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit T. GJ., 31 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *