Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet për pedofili ish- drejtori i Teatrit Kombëtar në Greqi


Ish-drejtori i Teatrit Kombëtar të Greqisë, Dimitris Lignadis, është arrestuar me akuzat për përdhunim dhe pedofili.

Siç bëjnë me dije mediet greke, Lignadis u akuzua se kishte abuzuar dy burra shumë vite më parë, kur ata kishin qenë të mitur.

56-vjeçari i cili do të mbahet në paraburgim deri të mërkurën i ka mohuar të gjitha akuzat.

“Ai i mohon të gjitha akuzat.”- tha avokati i tij Nikos Georgouleas të shtunën në mbrëmje, duke konstatuar se ish-drejtori i Teatrit ishte dorëzuar vullnetarisht në polici pasi kishte mësuar se ishte lëshuar një urdhër për arrestimin e tij.

“Ai menjëherë erdhi në selinë e policisë; ai po bashkëpunon. Ne jemi duke ecur përpara me procesin ligjor.”– vijoi më tej avokati.

Lignadis ka dhënë më herët gjatë këtij muaji dorëheqjen si kreu i teatrit kombëtar, për shkak të thashethemeve që kanë qarkulluar për të.

Ministrja e kulturës, Lina Mendoni, është përballur me kritika në rritje për emërimin e Lignadis në krye të Teatrit Kombëtar në vitin 2019 dhe ka pasur thirrje për dorëheqjen e saj.

Gjatë një konference për shtyp, Mendoni tha se ndihej e mashtruar nga Lignadis dhe e përshkroi atë si “një njeri të rrezikshëm”.

“Me talent të thellë aktori ai u përpoq të na bindte se ai nuk kishte të bënte me gjithë këtë.”- tha ajo, duke pranuar nevojën urgjente për “katarsis” të skenës së arteve dhe duke këmbëngulur që asnjë krim, veçanërisht ata që përfshijnë të mitur, nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *