Vendosni fjalën kyçe....

Verdikti i një kryeministri që tejkalon Prokurorinë dhe Gjykatat – Si Rama i vuri “vulën” çështjes


Dy motra dolën pak ditë më parë para kamerave përpara Spitalit Infektiv dhe mes lotësh treguan se si babai i tyre kishte ndërruar jetë nga koronavirusi, pasi rasti i tij ishte neglizhuar nga mjekët.

Vajzat e Rifat Lalos thanë se ai kishte humbur jetën pa marrë kujdesin e duhur mjekësor, e madje ishte lënë jo në shtrat, por në karrige për disa orë.

E nuk u desh të kalohej shumë kohë, pasi në kohë rekord Prokuroria nisi hetimet. Jo për denoncimin me zë dhe figurë që dy motrat Edita dhe Ina Lalo bënë, por ndaj tyre sepse kanë “mashtruar”. Të jetë nxitur ky veprim i shpejtë i prokurorisë nga kryeministri, duke marrë parasysh se ai mori mundimin të dilte para kamerave dhe të jepte verdiktin se dy gratë “mashtrojnë” edhe pse nuk ka tagrin as të gjyqtarit e as të prokurorit?!

Le ta nisim nga fillimi…

Denoncimi i dy motrave

Vajzat e Rifat Lalos thanë se babai i tyre kishte humbur jetën në spitalin Infektiv nga Covidi dhe kanë hedhur akuza të shumta ndaj sistemit shëndetësor. Në veçanti ata përmendën emrin e mjekes Migena Qato.

“Na thanë që vetëm këtu kishte oksigjen, na thanë që nuk kishte vende të lira në spitale, vendosëm që ta sillnim këtu. Babai na merrte çdo çerek ore dhe na thoshte se nuk i bënin asgjë, e kishin lënë afër derës dhe kishte ftohtë. Doktoresha Migena Qato nuk kishte një etikë mjekësore, ajo thoshte që po i bëjmë skaner, dhe babai thoshte nuk i bënin asgjë. Babai thoshte që të dilnin, ne komunikuam dhe me mjekë në Bruksel dhe thoshin që nuk është gjendja aq e rëndë sa e thonë ata aty.”– tregonin dy motrat në një intervistë për Fax News.

Më tej ato treguan mëdyshjet që kishin për ta nxjerrë babanë apo jo nga spitali, pasi ai i thoshte “Jepni pare dhe më nxirrni nga këtu”.

Ai u kishte thënë gjithashtu se e kishin lënë për orë me radhë në një karrigë dhe “nuk e prekte njeri me dorë”.

Ato shpreheshin se nuk do ia falnin kurrë vetes që e shtruan babanë në spital, ndërsa u luteshin të tjerëve “Mos i sillni të afërmit këtu”.

Çfarë thanë mjekët

Mjekët e QSUT-së nuk vonuan të dilnin me një reagim zyrtar pas denoncimit të dy grave, dyke thënë se zoti Rifat Lalo është pranuar në spital të hënën në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka marrë menjëherë shërbimin e nevojshëm sipas protokolleve të përcaktuara.

Në reagimin e spitalit thuhet se pacientit në fjalë i është bërë skaneri e më pas u është shpjeguar familjarëve se gjendja e tij ishte tejet e rëndë.

Po kështu, spitali pretendon se kanë pasur presion e komunikim të acaruar mes familjarëve të viktimës e mjekes roje, Migena Qato duke i vështirësuar detyrën kësaj të fundit edhe për shërbimet ndaj pacientëve të tjerë të shtrua në spital.

QSUT-ja tha se hedh poshtë akuzat për mungesë shërbimi dhe është e gatshme të ofrojë informacionin e provat e nevojshme që vërtetojnë të kundërtën.

Kryeministri jep verdiktin: “Mashtrim”

Pas këtij denoncimi që bëri shumë bujë u përdor një detaj, për ta delegjitimuar të drejtën e dy grave për të ngritur zërin pasi panë një padrejtësi që besojnë se i është bërë të afërmit të tyre. Ato ishin mbesa të ish-deputetit Vili Minaroli.

Ky detaj u përdor nga kryeministri Edi Rama, i cili për të ulur shqetësimin e qytetarëve dhe gazetarëve që i drejtonin pyetje për këtë çështje e konsideroi denoncimin e dy grave një “deklaratë partie”.

“QSUT e tha se çfarë kishte ndodhur se nuk kishte asnjë të vërtetë në atë deklaratë dhimbje dhe partie.”– tha Rama.

Prokuroria nis hetimet me shpejtësi

Këtu Prokuroria nis hetimet, siç e theksuam më lart jo ndaj spitalit që për hir të së vërtetës ka patur mjaft denoncime në medie kohët e fundit, por ndaj dy motrave. E në këtë rast Prokuroria reagoi shpejt, një shpejtësi që nuk e pamë për çështjen e fotove të morgut që qarkulluan në medie.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E. L. dhe I. L., sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.” – thuhet në njoftimin e policisë.

Këtu iu vu vula çështjes dhe tanimë hetimet shkojnë ndaj dy grave. Kjo çështje ka sjellë dhe reagimin e presidentit Ilir Meta, i cili tha sot se gjëra të tilla, ku dy qytetare hetohen pse denoncuan një rast të rëndë nga dhimbja për humbjen e babait, ndodhin “vetëm në shtete të kapura e jo në shtete demokratike”./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *