Vendosni fjalën kyçe....

Presidenca dhe Ambasada e SHBA-ve zbardhin takimin: Qëllimi, koordinimi për stërvitjen ushtarake në Shqipëri


Ambasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur detaje nga takimi i ambsadores Yuri Kim me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha, në Presidencë.

Ambasada thekson se i pranishëm në takim ka qenë edhe Zëvendëskomandant Gjeneral i Ushtrisë së SHBA në Evropë, Gjeneral Major Joseph Jarrard, i cili ka diskutuar me krerët e politikës shqiptare për vazhdimin e punimeve “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin tonë nëpërmjet stërvitjeve të ardhshme ushtarake të SHBA, me ushtarë shqiptarë dhe në tokën shqiptare”.

Dua të falënderoj Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe Ministrin Peleshi për pritjen e tyre sot. Patëm një diskutim të shkëlqyer mbi mënyrën se si mund të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin tonë nëpërmjet stërvitjeve të ardhshme ushtarake të SHBA, me ushtarë shqiptarë dhe në tokën shqiptare.
Një aleate e palëkundur e NATO-s prej vitit 2009, Shqipëria është një partnere strategjike e sigurisë për Shtetet e Bashkuara – si në rajon, ashtu edhe në botë. Shqipëria po investon ndjeshëm për të forcuar gatishmërinë e saj për mbrojtjen kolektive të NATO-s, duke punuar ngushtë me SHBA për të përmirësuar aftësitë në të gjitha fushat.
Ne kemi qenë dëshmitarë të guximit dhe vendosmërisë së shqiptarëve në Afganistan, Kosovë dhe Irak dhe, përmes Partneritetit Kombëtar të Shqipërisë me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit.
Ndërsa ne jemi ende duke planifikuar stërvitjen DEFENDER-Europe 21, presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Shqipëria do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake që po afrojnë, dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon.
Faleminderit edhe një herë për mirëpritjen tuaj të ngrohtë në Shqipëri dhe pres me kënaqësi edhe më shumë vite mbështetjeje të ndërsjellë me aleaten tonë të vyer, Shqipërinë”.
Gjeneral Major Joseph Jarrard, Zv. Komandant Gjeneral i Ushtrisë së SHBA në Europë“-shkruan Ambasada Amerikane.

Për këtë takim edhe Presidenca ka zbardhur objektin dhe qëllimin që si duket ka qenë përtej konsumit të politikës së ditës dhe të brendshme.

Presidenca thotë se sot është zhvilluarmbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e thirrur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Mbledhja kishte për qëllim të diskutonte masat përgatitore në lidhje me fazën përmbyllëse të stërvitjes me trupa, të koduar “Defender Europe 21/DE21”, e planifikuar për t’u zhvilluar në rajonin tonë, përfshirë Shqipërinë, nga data 1 maj deri më 14 qershor 2021.

Të pranishëm në takim ishin Kryeministri, Edi Rama, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, anëtarë të qeverisë dhe titullarë të agjencive ligjzbatuese e të sigurisë në vend.

Qëllimi i këtij takimi, ishte koordinimi i masave paraprake, me objektivin e qartë, që faza përmbyllëse e kësaj stërvitje të madhe të realizohet me sukses të plotë.

Në këtë mbledhje, Presidenti Meta falenderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit e saj në Tiranë, për mbështetjen e pakursyer për vendin tonë në të gjitha aspektet e veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

“NATO dhe partneriteti strategjik me SHBA janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin. Besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj tyre janë unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni europian i Shqiptarëve”, – tha Presidenti Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *