Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj sulm politik Bashës: Kunati ka aplikuar për vilën e pestë po s’do ta marrë lejen


Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj ka sulmuar sot kreun e PD-së, Basha. Gjatë një takimi me banorët e Laprakës, ai tha se kunati i Bashës ka aplikuar leje për vilën e pestë, por nuk do e marrë atë leje.

Sipas tij, kjo do ndodhë vetëm kur të falë një nga katër vilat e tjera që zotëron ndërsa theksoi se ndërsa flet për varfëri, aplikon për vila.

“Kunati i Lulit kishte aplikuar në Bashkinë e Tiranës për vilën e pestë – një pafytyrësi! Ti jep njëherë një kuti me ndihma ushqimore apo një konteiner për familjet e tërmetit. U thashë ta harrojnë lejen për vilën e pestë! Mirë që i shtojnë vilat në vit pandemie, por aplikojnë edhe për një tjetër. Lejen për vilën e pestë do ta marrin vetëm kur të falin një nga katër vilat e tjera. Flasin për varfëri dhe aplikojnë për vila, pafytyrësi.” – tha Veliaj.

Sipas Veliajt, ai nuk do e marrë lejen pasi ka 5 vila. Përtej sulmit politik, kryebashkiaku ka marrë tagri e një personi që vendos sesa vila apo pasuri duhet të kenë qytetarët.

Pak muaj më parë, në tetor 2020, i pari i Tiranës lëshonte akuza të ngjashme ndaj kryedemokratit Basha. Sipas Veliajt, kreu i PD-së e mbylli protestën e Astirit në këmbim të katër vilave ndërsa familjes së tij i është shtuar pasuria edhe pse në opozitë. Me logjikën e Veliajt, vetëm kur je në pushtet mund të pasurohesh, mënyrat sesi nuk kanë nevojë për shumë koment.

“Si u mbyll protesta e Rrugës së Kombit, ca mori në këmbim, pse heshti? Pse u mbyll protesta e Astirit, ca mori në këmbim? Në vitin më të vështirë ekonomik, Lulzim Basha u bë me katër vila. Kunatit të vet i kanë shkuar fitimet përpjetë. Si shtohen të ardhurat e një familjeje në opozitë? Këta nuk kanë lidhje me hallet e njerëzve.” – deklaronte asokohe Veliaj.

Pak muaj më vonë nga akuzat e tetorit 2020, Veliaj ka harruar të pyesë nënkryetarin e tij Mazniku, sa vila e pasuri ka biznesmeni Samir Mane, që ishte ulur me të e ministrat e Ramës në tavolinë në darkën e Dubait, pak ditë më parë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *