Vendosni fjalën kyçe....

Zuckerberg: Kemi bllokuar llogaritë e Trump në Facebook e Instagram, mund t’i përdorë për kryengritje të dhunshme


Facebook ka vendosur të mbajë të bllokuara llogaritë e Donald Trump në këtë rrjet social dhe në Instagram për një periudhë të pacaktuar edhe për të paktën dy javët e ardhshme.

Në një reagim në rrjetin e drejtuar prej tij, Mark Zuckerberg shkruan se pas asaj që ndodhi dje, do ishte rrezik shumë i madh që llogaritë e Trump të liroheshin.

Sipas tij, Trump mund t’i përdorë ato për të nxitur kryengritje të dhunshme ndaj një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike.

“Ngjarjet tronditëse të 24 orëve të fundit tregojnë qartë se Presidenti Donald Trump synon të përdorë kohën e tij të mbetur në detyrë për të minuar tranzicionin paqësor dhe të ligjshëm të pushtetit te pasardhësi i tij i zgjedhur, Joe Biden.

Vendimi i tij për të përdorur platformën për të falur në vend që të dënojë veprimet e mbështetësve të tij në ndërtesën e Kapitolit ka shqetësuar me të drejtë njerëzit në SH.B.A. dhe në të gjithë botën. Ne i hoqëm këto deklarata dje sepse gjykuam se efekti i tyre – dhe me gjasë qëllimi i tyre – do të ishte të provokonin dhunë të mëtejshme.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Kongresi, përparësia për të gjithë vendin duhet të jetë tani të sigurojë që 13 ditët e mbetura dhe ditët pas përurimit të kalojnë në mënyrë paqësore dhe në përputhje me normat e vendosura demokratike.

Gjatë disa viteve të fundit, ne e kemi lejuar Presidentin Trump të përdorë platformën tonë në përputhje me rregullat tona, herë pas here duke hequr përmbajtje ose duke etiketuar postimet e tij kur ato shkelin politikat tona. Ne e bëmë këtë sepse besojmë se publiku ka të drejtë për qasje sa më të gjerë në të folurit politik, madje edhe në të folurit e diskutueshëm. Por konteksti aktual është tani thelbësisht i ndryshëm, duke përfshirë përdorimin e platformës sonë për të nxitur kryengritje të dhunshme kundër një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Ne besojmë se rreziqet e lejimit të Presidentit të vazhdojë të përdorë shërbimin tonë gjatë kësaj periudhe janë thjesht shumë të mëdha. Prandaj, ne po zgjatim bllokimin që kemi vendosur në llogaritë e tij në Facebook dhe Instagram për një kohë të pacaktuar dhe për të paktën dy javët e ardhshme derisa të përfundojë tranzicioni paqësor i pushtetit.” – shkruan Zuckerberg në platformën e drejtuar prej tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *