Vendosni fjalën kyçe....

IGJEUM paralajmëron për përmbytje: Pesë ditë rresht shi në gjithë vendin


Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ka paralajmëruar se në pesë ditët e ardhshme pritet të ketë reshje të dendura shiu në të gjithë vendin.

Sipas IGJEUM mbetet dhe rreziku për përmbytje në zonat pranë  lumenjve: Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

 “Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave (6 -11 Janar 2021) priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM,  këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar 2021. Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021. Lumenjtë Seman dhe Vjosa parashikohen të rrezikshëm por me probleme më të vogla lokale të përmbytjeve.

Shkalla e rrezikut nga përmbytjet lumore do varet edhe nga sasia e shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave. Përmbytje urbane dhe rrëshqitje të dherave mund të ndodhin gjithashtu në pothuajse të gjitha qarqet.  Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit hidrologjike dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve”, thuhet në njoftim.

Sipas parashikimit të motit, këtë të mërkurë dhe të enjten priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë.

Në qarqet e tjera priten reshje intensive, ndërsa në qarqet Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër deri lokalisht shumë intensive.

“Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata”– thotë IGJEUM.

Ndërkohë temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 11 / 14 °C, në vendet e ulëta: 9 / 11 °C, në vendet malore: 3 / 10 °C.

Sakaq era në këto dy ditë pritet të jetë e lehtë deri mesatare kryesisht në bregdet dhe në vendet malore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *