Vendosni fjalën kyçe....

Babai dhe e motra e 45-vjeçarit që qëlloi ndaj policisë në Elbasan: Një bari në fshat e qëlloi i pari me armë


Babai dhe motra e Josif Kavajës, 45-vjeçarit që u ndalua dy ditë më parë pasi qëlloi me armë në drejtim të policisë kanë deklaruar sot se ai ka pasur disa probleme me shëndetin mendor ndërsa pohojnë se nuk ka ngacmuar asnjëherë askënd në fshat.

I ati, Panajoti, the në një intervistë për Report TV se nuk kishte dijeni se i biri ka pasur armë në shtëpi. Po kështu ai tha se i biri nuk ka faj pasi barinjtë po i hanin të mbjellat.

“Sifi është person shumë i drejtë, nuk është zënë as me një nga fshati, fare. Punon në hak të vetë. Ka qenë pak jo mirë nga mendimi. Qe në Angli dhe Greqi dhe u dëmtua pak nga mendja. Edhe po këtu ka punuar në rregull si erdhi këtu. Njeri më i drejtë nuk gjen. Ne si prindër nuk dinim gjë se ka pasur armë. Faj nuk kishte sepse vinin këta barinjtë dhe i hanin të mbjellat.  Ai gjuan drejt sipër. Shtiu njëherë dhe ata raportuan. Djali përfundoi shumë keq për hiçgjë.  Me ne prindërit është sjellë mirë. Tokat ia lanë vëllezërit. Është pak si i dobët nga gjendja mendore dhe s’ia ka arritur qëllimit të martohet e ka lënë dhe pak vetë pas dore.” – tha babai i Josif Kavajës.

E motra e tij, Vanthie Muça, ka thënë se shkak për ngjarjen është bërë sherri i tij me një bari në zonë i cili i kishte lekë borxh por edhe i kulloste bagëtitë në të mbjellat e tij. Sipas saj, ka qenë bariu ai që ka qëlluar fillimisht dhe më pas i vëllai është përgjigjur.

“Në moment të fundit që i thamë dorëzohu ata e kanë gjuajtur dhe u lutëm të mos e gjuanin sepse ishte në depresion. Ka qenë mirë por kohët e fundit thoshte pse më bien në qafë. Nuk e dëgjonim, ai kishte qenë në shtëpi kur i kishin ardhur policia. Ai bariu kishte gjuajtur dhe më parë, dhe ky kishte gjuajtur dhe ai po ashtu. Dhe ky vetë ishte zënë me Arifin. Ai ka mbjellë gjithë këto fusha grurë këtu dhe ai të sjellë bagëtitë. Doja që im vëlla të kurohet te spitali psikiatrik sepse ka pasur pak probleme, derisa të shërohet.” – tha motra e 45-vjeçarit.

Ky i fundit u ndalua dy ditë më parë pasi qëlloi me armë, fillimisht në ajër e më pas drejt policisë. Pas kësaj ai u fsheh në një pyll pranë fshatit në Elbasan ku jetonte por u kap mëngjesin e ditës së nesërme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *