Vendosni fjalën kyçe....

“Halabakëri akuza ndaj policit” – Ylli Manjani shpjegon ku ndryshon “vrasja me dashje” nga “vrasja si tejkalim i vetëmbrojtjes”


Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, e ka quajtur “halabakëri dhe hipokrizi” faktin që akuza zyrtare ndaj efektivit të policisë Nevaldo Hajdaraj që i mori jetën 25-vjeçarit Klodian Rasha, vijon të jetë ajo e “Vrasjes së kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Manjani e shpjegon këtë duke iu referuar judisprudencës. Ai thotë se polici ka qëlluar ndaj një personi që po i largohej dhe jo ndaj një personi që po e sulmonte dhe sipas tij rrethanat e vendosin policin nën akuzën e vrasjes me dashje.

“Halabakëri dhe hipokrizi.

Akuza ende zyrtare ndaj policit vrasës, për “vrasje në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme” është vërtetë HALABAKËRI.

Ajo ndjesa ndaj familjes së të ndjerit, me këtë akuzë zyrtare, quhet hipokrizi!

E kuptoj, që prokuroria nuk ka kryer hetime të thella dhe siç e ka huq, çon akuza sa me thënë në gjykatë për marrje mase sigurie. Por nëse kjo akuzë mbetet e konsideroj HALABAKËRI.

Asnjë lidhje me drejtësinë për të ndjerin!

E përsëris, instituti ligjor i mbrojtjes së nevojshme, zbatohet në raste përleshje apo dyluftimi, ku dikush sulmon padrejtsisht dhe tjetri mbrohet me mjetet që ka në dispozicion. Tejkalimi i vetmbrojtjes konstatohet nga mjeti i përdorur dhe itensiteti i veprimeve. Këtë e thotë ligji. E thotë jurisprudenca e konsoliduar. Këtë gjë juristët e mësojnë në vitin e dytë juridik.

Mirëpo nga sa është përçuar në publik, ngjarja e rëndë nuk del të ketë qenë një përleshje. Polici nuk u sulmua. Përkundrazi ky i fundit ka sulmuar viktimën në ikje. Polici ka kryer qitje ndaj një personi që po i largohej, jo ndaj një personi që po e sulmonte!!!

Këto rrethana e vendosin policin nën akuzën e vrasjes me dashje. (Shumë e ngatërrojnë me vrasjen me paramendim, por nuk duket ashtu).”- shkruan Manjani.

Në seancën e djeshme ku u njoh me akuzën dhe iu vendos masa e sigurisë, Nevaldo Hajdaraj shprehu pendesë për aktin e kryer dhe i kërkoi ndjesë publike familjes së të ndjerit. Po rai këmbënguli se kishte vepruar pasi besonte se i riu kishte armë dhe donte ta vriste.

Duke iu referuar kësaj, Manjani shton se “pendesa e thellë pas ngjarjes nga ana e policit, shërben si rrethanë lehtësuese dhe le ta përfitojë atë. Por duhet të kuptojmë se ai ka vrarë jo në kushtet e vetmbrojtjes, sepse nuk u sulmua nga askush.”

Më pas, ish-ministri i Drejtësisë shpjegon për publikun që nuk e ka të qartë se si funksionon ligji se ku ndryshon vrasja me dashje dhe vrasja si tejkalim i vetëmbrojtjes.

“Dallimi ndërmjet vrasjes me dashje dhe vrasjes si tejkalim i vetmbrojtjes është i madh. E para dënohet jo më pak se 10 vite. E dyta dënohet deri në 7 vite. Përveç fyerjes që i bëhet viktimes dhe familjes me cilisime ligjore që fshehin të vërtetën. Praktikisht e shpallin viktimën “fajtor” se na paska sulmuar policët. Por faktet që njohim nuk e mbështesin aspak këtë pisllëk teori.

Prokuroria ka kohë plot ta rishohë akuzën, të cilën duket se e ka bërë copy and paste nga materiali skandaloz i SHÇBA.

Ndërkohë nga prokuroria, pritet më shumë sesa rikualifikimim zyrtar të veprës penale. Pritet të sqarojë të gjitha përpjekjet e zinxhirit të komandës policore që deshën të fshehin ngjarjen, ta tranformonin e manipulonin. Si u bënë hurmat armë? Kush e vuri armën në vendngjarje? Etj etj etj…

Nëse këto elementë nuk sqarohen, nuk ka drejtësi!

Nëse ajo akuzë mbetet, gjithnjë në kuadër të ngjarjes që njohim publikisht, jemi vërtetë në HALABAKËRI.

Kurse ndjesa mbetet thjesht hipokrizi e ditës për vrasjen e natës.”– shprehet ish-ministri.

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha në orët e para të 8 dhjetorit në lagje të tij nga një punonjës policie, ngriti qindra njerëz të protestojnë tre ditët e fundit në Tiranë, e madje edhe në qytete të tjera si Shkodra, Durrësi e Korça…

Efektivi i “Shqiponjave” Nevaldo Hajdaraj, i cili ka pranuar se qëlloi me armë zjarri për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha është lënë dje në “arrest shtëpie”.

Në dëshminë e tij, Hajdaraj thotë se Rasha sapo ka parë patrullën e policisë është larguar me vrap duke kaluar rrugën e duke u futur në rrugica. Efektivi shprehet se është vendosur në ndjekje të tij pasi Rasha nuk ndalonte vrapin dhe gjatë ndjekjes ka vënë re që 25-vjeçari ka nxjerrë nga brezi një send, në dukje armë zjarri. Këtu ai pretendon se e ka qëlluar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *