Vendosni fjalën kyçe....

Milani me 3 mungesa të rëndësishme në përballjen ndaj Sampdorias


Milani vijon të jetë në krye të kampionatit italian, por Juventusi dhe Interi po tregojnë shenja rritjeje dhe tani janë më pranë kuqezinjve, që do të provojnë ta shkëputen sërish me 5 pikë para zikaltërve që janë ndjekësit më të afërt.

Formacioni i Stefano Piolit do të udhëtojë sot drejt Gjenovës, për t’u përballur në mbrëmje me skuadrën e Sampdorias, ndërsa tekniku i kuqezinjve do të duhet të bëjë pa shërbimet e tre prej titullarëve më të spikatur gjatë këtij viti.

Kështu Zlatan Ibrahimovicit në infermieri iu bashkua edhe danezi Simon Kjaer, që pësoi një tërheqje të lehtë muskulore të enjten ndaj Lillë, ndërsa sot do të mungojë edhe mesfushori algjerian Ismael Bennacer.

Ky i fundit ka pasur shpesh probleme muskulore javët e fundit dhe për shkak të një lodhjeje më tepër se e zakonshmja, është vendosur që të mos grumbullohet për sfidën e mbrëmjes së sotme ndaj Sampdorias.

Sandro Tonali pritet të marrë vendin e titullarit në mesfushë, në krah të Franck Kessie, ndërsa në mbrojtje, në vendin e Kjaer do të luajë sërish i riu Matteo Gabbia, që po gjen shumë hapësira këtë sezon dhe po rritet vazhdimisht.

Sa i përket sulmit, nuk priten surpriza, pasi në majë do të luajë Ante Rebiç, i mbështetur nga belgu Saelemaekers dhe spanjolli Brahim Diaz, të cilët kanë dhuruar paraqitje mjaft të mira kohët e fundit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *