Vendosni fjalën kyçe....

Po kurohej në Turqi për koronavirusin, ndahet nga jeta ish-deputeti socialist Marko Bello


Ndahet nga jeta në moshën 59-vjeçare ish-deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello.

Mësohet se ish-deputeti po kurohej në një spital në Turqi për shkak të komplikimeve me koronavirusin.

Pas lajmit të hidhur, ka reaguar ish-kryetari i Kuvendit, Namik Dokle.

 “Sa i trishte! Sa i pabesueshem ky lajm i mesnates per vdekjen e mikut, kolegut, Marko Bello. Pa i mbushur ende te gjashtedhjetat, na e mori covidcolera! C’behet keshtu? Po na behet fejsbuku varreze!!! Lamtumire, i dashur Marko! Nuk do ta harroj kurre buzeqeshjen tende te pandare, shakane tende mbushur me miresi…”, shkruan Dokle në Facebook.

Po ashtu një mesazh ngushëllimi ka publikuar edhe presidenti Ilir Meta. Ai thotë se Bello ishte një qytetar model dhe familjar shembullor.

“Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor!

Zoti ju dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes!

Ngushëllimet më të ndjera!

Përherë i paharruar në kujtimet tona!”- shkruan Meta.

 

Marko Bello lindi më 12 shtator të vitit 1961.

Ai ka patur karrierë të hershme diplomatike, e cila zë fill qysh në vitin 1987 kur u angazhua si referent në Drejtorinë e Shtypit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa më pas emërohet sekretar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bukuresht.

Në periudhën 1997-2000, ai shërbeu si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë në Rumani, ndërsa më pas u emërua zv/ministër i Mbrojtjes, i ngarkuar kryesisht të drejtonte raportet e ministrisë me NATO-n.

Ai po ashtu është zgjedhur si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë për tri legjislatura me radhë (2001-2013).

Bello po ashtu ka mbajtur postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.

Përpara se të emërohej ambasador, Marko Bello ka punuar për disa vite si korrespondent i agjencisë Reuters në Tiranë dhe Bukuresht si dhe radios britanike BBC.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *