Vendosni fjalën kyçe....

Nuk zbatuan karantinën, gjobiten me 7 milionë lekë 5 persona. Gjoba edhe për 571 qytetarë që dolën pa maska në rrugë


Plot 571 qytetarë janë ndëshkuar me gjoba nga policia, pasi janë kapur duke lëvizur pa maska mbrojtëse. Gjoba shkon në 3 mijë lekë (ose 30 mijë lekë të vjetra).

Policia ka publikuar një video nga zhvillimi i këtyre kontrolleve në të gjithë vendin.

Ndërkohë, janë ndëshkuar me gjoba me nga 700 mijë lekë apo (7 milionë lekë të vjetra) pesë qytetarë, të cilët nuk kishin zbatuar rregullat e vëtëkarantinimit.


DETAJET E POLICISË

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 571 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Në vijim të kontrolleve për zbatimin e vetëkarantinimit të detyrueshëm nga shtetasit e infektuar me COVID-19, janë evidentuar 5 shtetas që kanë shkelur rregullat e vetëkarantinimit, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë secili.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 18 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 22:00, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *