Vendosni fjalën kyçe....

Basha u premton nënave të emigrantëve: Rikthimi i rinisë detyra e qeverisë së ardhshme, do bëj gjithçka mos t’ju zhgënjej


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi paraditen e sotme një takim me nëna të cilat i kanë fëmijët emigrantë.

Gjatë bashkëbisedimit, këto gra ndanë me kryedemokratin eksperiencat e tyre. Një pjesë e këtyre grave nuk i mbajtën dot lotët dhe nisën të qajnë përpara kamerave.

Kryetari Basha pasi dëgjoi historitë e nënave të emigrantëve, deklaroi se qeveria e ardhshme ka një plan të qartë që të kthejë rininë në Shqipëri, duke i kthyer kështu shpresën vendit.

Ju falenderoj që u bëtë pjesë e këtij bashkëbisedimi, që ndatë historitë tuaja personale, duke i dëgjuar këto histori përjetoj edhe unë atë dhimbjen e vuajtje. Edhe unë jam prind, nuk e kam provuar se ç’do të thotë 6 vjet pa e parë fëmijën, por duke qenë prind e kuptoj se çfarë ndjenje është. Cila është arsyeja e kësaj dhimbjeje? Është largimi i të rinjve. Cili është shkaku i largimit të tyre? Mungesa e shpresës, mungesa e perspektivës, mungesa e vendeve të punës. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur në krye të prioriteteve tona për qeverisjen e nesërme, kthimin e shpresës tek Shqipëria, me prioritet absolut vendet e punës, punësimin e në veçanti punësimin e rinisë. Detyra e qeverisë së ardhshme është që t’ua bëjë sa më të lehtë dhe sa më të pranueshëm rikthimin në vendin e tyre, dhe ky është një tjetër prioritet sa i përket rinisë në veçanti dhe mbylljes së kësaj plage të emigracionit. Qeveria e ardhshme do të sjellë me të njëjtat përgjegjësi, siç silleni ju ndaj familjes, qeveria e ardhshme do të sillet ndaj Shqipërisë, me të njëjtën përgjegjësi siç sillen prindërit shqiptarë ndaj fëmijëve të tyre. Kjo duhet dhe kjo krijon shpresë, sjell shpresë tek vendi, sjell besim tek investitorët. Pengesa e vetme janë politikat e gabuara dhe dështimet e kësaj qeverie, e cila mendon vetëm për veten e vet, nuk mendon për njerëzit. Kjo është arsyeja pse emigracioni në Shqipëri është rritur 3-4 herë më shumë sesa mesatarja e Ballkanit. Ju garantoj se do të bëj gjithçka që jo vetëm mos t’ju zhgënjejë, por t’i përmbush pritshmëritë tuaja dhe të gjithë nënave dhe grave dhe motrave dhe baballarëve, të prindërve tanë, që ta fusim Shqipërinë në një rrugë shprese, në një rrugë zhvillimi, në një rrugë punësimi për të gjithë, por në radhë të parë për ju. Kjo pastaj do t’i japë fund këtij cikli krize, dhe do të nisë një cikël pozitiviteti për ta, për familjet e tyre, për ju, për prindërit tanë por edhe për shumë prej atyre që janë larguar, që do të kenë mundësi pastaj të konsiderojnë rikthimin në vendin e tyre. Një vend që duhet t’i presë me krahë hapur.”- tha Basha.

RRËFIMET E NËNAVE:

Qefsere Deliu: “Emigracioni në vitet e fundit është shumë i dhimbshëm. Rreth dy vite që djali është larguar pas shumë peripecive, në fakt që për shumë vite, që i vogël, që 16 vjeç ka ndarë kohës mes shkollës, sportit të atletikës ku ishte edhe kampion në fakt, edhe punës. Erdhi momenti këto vitet e fundit që nuk përballohej më edhe tha: do të marr rrugën. Falë Zotit iku edhe do rregullohet atje.”

Elida Xherahi: “Unë jam nënë e dy vajzave. Njëra prej vajzave ka mbaruar gazetari me rezultate të shkëlqyera. Pasi nuk gjeti asnjë mundësi apo alternativë punësimi këtu, u detyrua të emigronte në Amerikë. Më falni! Ajo ka sot dhe një vajzë të vogël, të cilën unë e kam parë vetëm njëherë kur lindi. Pamundësia ekonomike e jona na detyron që t’i qëndrojmë larg. Por e keqja nuk është kjo. Kam vajzën tjetër që ka mbaruar për informatikë ekonomike, dega financë bankë, e cila nuk po gjen alternativë punësimi dhe ajo do të ndjekë hapat e të motrës, do të iki jashtë sepse thotë këtu nuk shih asnjë dritë jeshile. Tani, zoti Basha dua të di kur do të mbarojë ky makth për ne prindërit, sidomos në këtë kohën e pandemisë, se po të mendojmë, se po të na gjejë gjë do të vdesim pa parë fëmijët tanë. Kjo është e keqja më e madhe e popullit tonë, po rrimë larg fëmijëve.”.

Xhuma Kurti: “Edhe unë një familje si të gjithë shqiptarëve, familje e thjeshtë dy fëmijëve të mi kanë mbaruar juridikun, vajza është më e madhe dy vjet se djali, por vajza mbaroi juridikun këtu dhe punonte këtu, në televizion ka qenë në Klan, madje balerinë, ajo të aplikojë mami se mbase më del e drejta e studimit të shkojë të vazhdojë shkollën në Amerikë. Aplikoi dhe fitoi se dhe këtu notat tek Juridiku i pati të shkëlqyera edhe ajo sot ndodhet në Amerikë dhe vazhdon studimet në Manhatan. Kam dhe unë 6 vite që se kam parë.”

Marjeta Luka: “Tim shoq vdiq para 7 viteve nga mungesa, nga problemet ekonomike u detyrova që djalin e madh ta çoja jashtë shtetit edhe iku ne Gjermani. Si iku në Gjermani, ashtu punë të zezë më. Ashtu në mënyrë të paligjshme nga Gjermania, bëri dy vjet atje, nga Gjermania iku ne Angli, pa ardhur këtu me e taku. Edhe ashtu, punon, na ndihmon se s’kemi mundësi me I përballu këto kushtet e zoti Rama. Edhe me thënë atë të drejtën, kur vjen darka, kontrolloj telefonin, është future djali në internet, nuk është fut në internet. Po s’qe fut në internet nuk më zë gjumi gjithë natën lëviz a se po të ketë ndonjë problem ndonjë diçka, komplet bosh brenda si nënë. Djali tjetër ka mbaruar shkollën e lartë për emergjenca civile dhe kur u bë tërmeti aplikoi aty te bashkia, donte të shkonte dhe të kontribuonte vullnetar se i vinte keq për ata, e realizuan atë kërkesën nuk ja pranuan. T’i vësh dorë që mos ikin më jashtë, të kthehen e të punojnë për Shqipërinë. Shqipëria bëhet shumë kollaj edhe shumë mirë, në rast se ka një staf që drejton mirë. Me të vërtetë është e shkatërruar, nuk presim buton që të shohim, por ama prej teje kërkojmë thjesht ta fusësh në rrugën e duhur. Edhe po të futet në rrugën e duhur, ata të rinj do e çojnë përpara. Edhe kjo të takon ty. Te ty shohim shpresë, te ty shohim jetën e fëmijëve tanë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *