Vendosni fjalën kyçe....

Meghan Markle tregon se ka humbur fëmijën e saj të dytë


Dukesha e Sussex, Meghan Markle, ka zbuluar se ajo ka humbur fëmijën e saj të dytë. Dukesha ka shkruar një ese për gazetën amerikane “New York Times”, ku tregon përjetimin e një aborti të dhimbshëm që kishte pësuar në muajin korrik.

“Unë e dija, ndërsa shtrëngoja fëmijën tim të porsalindur, se po humbja të dytin.”- tha Meghan në këtë ese.

Dukesha dhe Princi Harry, u zhvendosën në Kaliforni për të jetuar larg vëmendjes së mediave, pasi u tërhoqën nga detyrat mbretërore në muajin janar.

Ata u bënë me fëmijë më 6 maj 2019, kur erdhi në jetë djali i tyre i parë Archie. Por Markle paska qenë për herë të dytë në pritje të një fëmije, një lajm të cilin deri tani e kishte mbajtur të fshehtë.

Dukesha filloi artikullin e saj duke përshkruar një “ngërç të mprehtë” që ajo kishte ndjerë ndërsa kujdesej për djalin e saj Archie.

“Unë rashë në dysheme me të në krahë, duke kënduar një ninullë për të na mbajtur të dy të qetë. Melodia e gëzuar ishte në kontrast të fortë me ndjesinë time se diçka nuk ishte në rregull.”– shkroi ajo.

Disa orë më vonë Meghan tregon se bashkëshorti po i mbante dorën në shtratin e një spitali.

Dukesha vazhdoi: “Humbja e një fëmije do të thotë të mbash një hidhërim pothuajse të padurueshëm, të përjetuar nga shumë por të folur nga pak.”

Meghan Markle është e para nga familja mbretërore, që përshkruan momentin e një aborti. Dukesha e Sussex tregon se në ditën që ka humbur fëmijën, ajo ishte zgjuar, kishte ushqyer qentë, rregulluar rrobat dhe ishte kujdesur për lapsat e djalit Archie. Por pasi e kishte marrë në krahë për t’i ndërruar pelenën, kishte pësuar abortin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *