Vendosni fjalën kyçe....

Nga sot Kapshtica e mbyllur, shoferët e kamionëve në radhë: Nuk jemi njoftuar


Pas lajmit që sot do të mbyllej kufiri me Greqinë në Kapshticë, kanë nisur problemet e para.

Në këtë pikë kufitare është krijuar radhë e gjatë e kamionëve të mallrave, shoferët e të cilëve thonë se nuk ishin njoftuar se kufizimi do t’i përfshinte edhe ta.

Ata shprehen se janë lejuar gjithmonë që të punojnë, pavarësisht çdo lloj situate.

Shoferët shprehen se kthimi dhe kalimi nga një tjetër pikë kufitare ka kosto të mëdha.

“Dy orë e gjysmë. Do ngarkoj mallin. Këtë e bëjmë çdo ditë. Nuk kishim informacion që do të mbyllej sot. Do të presim, nëse nuk zgjidhet do të kthehem. Firma do të ketë humbje me patjetër” – tha një prej kamionistëve për Report TV.

Mes tyre ishin dhe disa qytetarë turq të cilët shprehen se do të kalojnë nga Maqedonia e Veriut për të shkuar drejt Turqisë.

“Do kthehemi. Do kalojmë nga Maqedonia për tu kthyer në Turqi. S’ka mall, jemi bosh” – tha një drejtues turk.

Ndërkohë Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Korçë, me anë të një njoftimi u bën thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nga kjo pikë kufitare.

Policia thotë se shkak për këtë mbyllje nga pala greke është bërë shtimi i rasteve me koronavirus në veri të Greqisë.

“Autoritetet e Policisë Greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kapshticë, sqarojnë se në zbatim të vendimit të qeverisë greke për marrjen e masave, mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej datës 20.11.2020, ora 06:00 e mëngjesit, deri në datën 04.12.2020, Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusa dhe kamiona) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë.

Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.

Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë, do të ketë forca policie të cilat do të mbikqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve, në drejtim të Kapshticës. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.”– njofton Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë.

Mbyllja e kufirit në Kapshticë vjen pas rasteve të shtuara me COVID-19 në vend dhe në Selanik. Ndërkohë do të qëndrojnë të hapura portat e tjera hyrëse në vend, përfshirë Kakavijën.

Të gjithë qytetarët që duan të kalojnë duhet të kenë me vete tamponin negativ të kryer 72 orët e fundit ndërsa do i nënshtrohen edhe një testi të shpejtë nga autoritetet greke.

Po kështu theksohet se vendimi i palës greke vlen vetëm për kufijtë tokësorë ndërsa ai ajror vijon të mbetet i hapur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *