Vendosni fjalën kyçe....

Drejtuesit fetarë në Shqipëri, të gjithë kurohen jashtë për Covidin


Për drejtuesit fetarë në Shqipëri, duket se Shqipëria nuk ofron kushtet e nevojshme për t’u trajtuar për Covidin, pasi të gjithë i janë drejtuar spitaleve në shtetet e tjera.

Bëhet fjalë për drejtuesë të tre besimeve kryesore fetare në vend: kryepeshkopn e Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, Arqipeshkvin e Tiranë-Durrësit si dhe Myftiun e Shkodrës.

Ata janë dërguar për të marrë mjekim të specializuar në Greqi, Itali dhe Turqi, pasi kishin ditë që po kuroheshin në vend për Covidin.

Muhamed Sytari në Turqi

Këtë mëngjes morëm vesh se gjendja e Myftiut të Shkodrës, Muhamed Sytari, është përkeqësuar.

Prej ditësh i prekur me koronavirus, këtë të shtunë ai është dërguar me urgjencë për mjekim të specializuar në Turqi.

Më herët drejt këtij shteti u dërgua edhe babai i tij, i cili gjithashtu është i prekur nga koronavirusi.

Por Muhamed Sytari nuk është i vetmi drejtues fetar në Shqipëri, i cili është i prekur nga Covidi dhe po kurohet jashtë vendit.

George Frendo në Itali

Mbrëmjen e së enjtes Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, George Frendo ka udhëtuar drejt Barit, për t’u kuruar nga Covid-19. Ai monitorohej prej ditësh nga mjekët.

Frendo është shtruar në Spitalin Miuli të “Acquaviva delle Fonti”. Lajmi u dha nga Arqipeshkëvia Metropolitane Tiranë –Durrës, e cila nuk jepte detaje të tjera për gjendjen shëndetësore të Frendos, por thoshte se në ditët në vijim do kishte lajme më të hollësishme.

Anastas Janullatos në Greqi

Ndërkohë para tre ditësh, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, Anastas Janullatos u dërgua me urgjencë me avion ushtarak drejt Greqisë, për trajtim më të specializuar.

Mediet greke shkruanin se kryepeshkopi 91-vjeçar, ka simptoma të lehta por kryeministri grek urdhëroi që ai të merrte trajtim të specializuar në një klinikë në Athinë.

Situata e pandemisë në vend vijon të jetë e përkeqësuar me shifra të larta të të infektuarve që raportohen çdo ditë. Ditën e djeshme Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ishin regjistruar 490 raste të reja dhe shtatë vdekje si pasojë e Covidit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *