Vendosni fjalën kyçe....

STUDIMI/ Një në pesë pacientë me COVID zhvillojnë sëmundje mendore brenda 90 ditëve


Pacientët që i mbijetojnë Covidit ka gjasa të jenë në rrezik më të madh për të zhvilluar sëmundje mendore.

Një studim i ri zbuloi se 20% e të infektuarve me koronavirus diagnostikohen me një çrregullim psikiatrik brenda 90 ditësh.

Ankthi, depresioni dhe pagjumësia ishin më të zakonshmet në mesin e pacientëve që e kanë kaluar COVID-19. Siç shkruan Reuters, studiuesit nga Universiteti i Oksfordit në Britani gjithashtu gjetën rreziqe më të larta të demencës, një gjendje e dëmtimit të trurit.

“Njerëzit kanë qenë të shqetësuar se të mbijetuarit e COVID-19 do të rrezikojnë më shumë nga problemet e shëndetit mendor dhe gjetjet tona tregojnë se kjo ka mundësi të ndodhë”, tha Paul Harrison, një profesor i psikiatrisë në Oksford.

Harrison tha se mjekët dhe shkencëtarët në të gjithë botën kanë nevojë urgjente për të hetuar shkaqet dhe për të identifikuar trajtime të reja për sëmundjet mendore pas COVID-19.

“Shërbimet shëndetësore duhet të jenë të gatshme për të ofruar kujdes, veçanërisht pasi rezultatet tona ka të ngjarë të jenë nënvlerësuese të numrit të pacientëve psikiatrikë.”– shtoi ai, citon Reuters.

Studimi i botuar në revistën The Lancet Psychiatry, analizoi të dhënat elektronike shëndetësore të 69 milionë njerëzve në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë më shumë se 62 mijë raste që kishin kaluar Covidin. Studiuesit thanë se gjetjet e tyre ka të ngjarë të jenë të njëjta për ata që vuajnë nga COVID-19 në të gjithë botën.

Në këtë studim thuhet se në tre muajt pas testimit pozitiv për COVID-19, 1 në 5 të mbijetuar u diagnostikuan për herë të parë me ankth, depresion ose pagjumësi. Kjo ishte rreth dy herë më e mundshme sesa për grupet e tjera të pacientëve në të njëjtën periudhë.

Studimi zbuloi gjithashtu se njerëzit me një sëmundje mendore para-ekzistuese kishin 65% më shumë gjasa të diagnostikoheshin me COVID sesa ata pa një sëmundje të tillë.

Specialistë të tjerë të shëndetit mendor të cilët nuk ishin përfshirë drejtpërdrejt në studim, thanë se këto gjetje shtojnë provat që Covidi mund të ndikojë në tru, duke rritur rrezikun e një sërë sëmundjesh psikiatrike.

“Kjo ka të ngjarë për shkak të një kombinimi të stresuesve psikologjikë të lidhur me këtë pandemi të veçantë dhe efekteve fizike të sëmundjes.”– tha Michael Bloomfield, një psikiatër konsulent në University College London.

Një tjetër profesor i Psikiatrisë në King’s College në Londër, Simon Wessely, tha: “COVID-19 ndikon në sistemin nervor qendror dhe kështu mund të rrisë drejtpërdrejt çrregullimet pasuese. Por ky hulumtim konfirmon se kjo nuk është e gjithë historia dhe se ky rrezik rritet nga shëndeti i mëparshëm”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *