Vendosni fjalën kyçe....

“Putini me Parkinson, do japë dorëheqjen”- Kremlini hedh poshtë raportimet e tabloidit britanik


Tabloidi britanik “The Sun” thotë se presidenti Vladimir Putin po planifikon të japë dorëheqjen në muajin janar, pasi vuan nga sëmundja e Parkinsonit.

“The Sun” citoi profesorin Valery Solovei, një ekspert politik rus, i cili sugjeroi në fillim të kësaj jave në një stacion radiofonik të Moskës se Putini ishte nën presion nga rrethi i tij për t’u larguar për shkak të frikës për shëndetin e tij.

Mirëpo Kremlini i ka hedhur poshtë këto raporte si të pavërteta. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se raporti i tabloidit britanik bazuar në pohimet e Soloveit, ishte i rremë.

“Është marrëzi absolute”, tha Peskov, citon Reuters. “Çdo gjë është në rregull me presidentin.”

I pyetur nëse Putini po planifikonte të tërhiqej në të ardhmen e afërt siç kishte sugjeruar Solovei, Peskov tha: “Jo”.

Tabloidi britanik duke iu referuar burimeve të veta, thotë se e dashura e presidentit rus, gjimnastja Alina Kabeeva dhe dy vajzat e tij kanë apeluar tek ai për të dhënë dorëheqjen. Spekulimet për sëmundjen e Putinit janë intensifikuar pas fotografive të fundit të tij që kanë qarkulluar në rrjet.

Vëzhguesit që studiuan pamjet e vunë re se këmbët e Putinit dukeshin sikur ishin në lëvizje të vazhdueshme dhe ai dukej se kishte dhimbje.

Gishtat e tij gjithashtu dridheshin ndërsa mbante një stilolaps apo kapte në duar një filxhan që besohej se përmbante një qetësues.