Vendosni fjalën kyçe....

Së shpejti bëhet baba, Edward Snowden aplikon për nënshtetësinë ruse


Edward Snowden thotë se do të aplikojë për shtetësinë ruse. Ai ka shpjeguar se dëshiron të sigurohet që djali i tij nuk do të jetojë kurrë i ndarë nga familja dhe pa një shtëpi të përhershme.

Vetë Snowden ka jetuar në një paqartësi ligjore që nga viti 2013: Ende një shtetas amerikan por pa pasaportë, dhe banues në Rusi me leje qëndrimi të përkohshme.

Një arsye e mundshme se pse ai po aplikon për nënshtetësinë ruse, mund të jetë fakti që ligji rus ndalon ekstradimin e shtetasve të vet në vendet e huaja.

“Pas shumë vitesh ndarjeje nga prindërit tanë, gruaja ime dhe unë nuk kemi dëshirë të ndahemi nga djali ynë”– shkroi ish kontraktori i CIA-s në një postim në “Twitter”.

“Kjo është arsyeja pse, në këtë epokë të pandemive dhe kufijve të mbyllur, ne po aplikojmë për dy shtetësinë SHBA-Ruse.

Lindsay dhe unë do të mbetemi amerikanë, duke rritur djalin tonë me të gjitha vlerat e Amerikës që duam – përfshirë lirinë e mendimit”- shtoi Snowden.

Ai shton: “Dëshira jonë më e madhe është që, kudo që djali ynë të jetojë, të ndihet si në shtëpi. Dhe mezi pres ditën kur mund të kthehem në Shtetet e Bashkuara, kështu që e gjithë familja mund të ribashkohet.”

Njoftimi i papritur vjen disa ditë pasi Snowden dhe gruaja e tij Lindsay zbuluan se po prisnin fëmijën e tyre të parë. Për shkak se do të lindë në Rusi, fëmija do të marrë shtetësinë ruse kur të lindë.

Javën e kaluar Snowden mori një leje qëndrimi të përhershme ruse. Kjo shtatë vjet pasi ai mbërriti për herë të parë në Moskë.

Snowden ka jetuar në mërgim në Rusi që nga viti 2013, kur publikoi të dhënat mbi operacionet sekrete të mbikëqyrjes masive të kryera nga Inteligjenca e SHBA-së.

Që prej asaj kohe, Washingtoni ka kërkuar ekstradimin e tij për t’u përballur me akuzën e shkeljes së Aktit të Spiunazhit dhe rrezikon një dënim deri në 30 vjet burg nëse dënohet, por ekstradimi i tij nuk ka gjasa të ndodhë nëse ai fiton nënshtetësinë ruse.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *