Vendosni fjalën kyçe....

Naftëtaret e Ballshit 18 ditë në grevë: Themi shyqyr që u gdhimë të nesërmen


 

18 ditë grevë kanë bërë sot gratë naftëtare, 18 ditë grevë kishin bërë edhe burrat para tyre, por ende naftëtarët e Ballshit nuk i kanë marrë pagat e prapambetura.

Gjendja shëndetësore e grave në grevë sa vjen e përkeqësohet, por ato shprehen të vendosura për të mos e lënë grevën.

“Është dita e 18 e grevës. Kemi hyrë që me datën 15. Do të vazhdojmë përderisa ne kemi marrë këtë risk përsipër, sepse është e kotë të futemi e të mos fitojmë gjë. Largimi nga familjarët është shumë e vështirë. Unë jam me diabet dhe jam shkëputur disi pasi kam marrë mjekim. Por shoqet e mia këtu nuk janë shkëputur dhe s’besoj të dalim nga greva. Absolutisht. Pa fituar të drejtën tonë, ato që na takojnë, lekët që i kemi nxjerrë me gjak e me djersë” – tha një prej grave naftëtare.

Një tjetër u shpreh se ato kujdesen për njëra-tjetrën pasi janë të sëmura dhe çdo mëngjes gëzohen që janë gjallë.

“Po s’morëm 13 pagat e fituara me gjyq nuk dalim që këtej. Do të vazhdojmë deri në frymën e fundit. Edhe pse s’jemi mirë nga shëndeti, me tension, marrje mendsh. I shërbejmë njëra-tjetrës dhe themi shyqyr që u gdhimë të nesërmen. Shpresojmë shumë, i lutemi kryeministrit ta shikojë me shqetësim grevën tonë. S’mund ta quajmë grevë, jemi të ngujuar prej 18 ditësh. Nuk është e lehtë aspak. Dhe familjarët i kemi shumë të shqetësuar. Në grevë urie ne, në grevë edhe ata. Prandaj u lutemi dhe atyre shoqëve parlamentare ta vënë dorën në zemër, të kujtohen për këto gra, për këto nëna, paskan qenë shumë të pashpirtra. Asnjëra nga ato nuk mund ta lërë fëmijën as edhe një orë pa bukë, jo si ne një vit. Kauza jonë është e qartë, duam lekët e fituara me gjyq. Pastaj për të tjerat shohim e bëjmë, kaq.”- thotë një tjetër greviste.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *