Vendosni fjalën kyçe....

Putin thotë se e ndihmoi ai Navalny-n të largohej nga Moska


Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se ai ka ndërhyrë personalisht për t’u siguruar që kritiku i tij Alexei Navalny, të mund të merrte trajtim mjekësor në Gjermani pas dyshimeve se ai ishte helmuar.

Politikani opozitar Navalny, u sëmur gjatë një fluturimi në Siberi më 20 gusht dhe u dërgua në Berlin për mjekim. Mostrat e gjakut të marra prej tij konfirmuan praninë e një agjenti nervor Novichok.

44-vjeçari ka akuzuar Putinin se qëndron pas helmimit të tij, një pretendim që Kremlini e ka hedhur poshtë.

Putin thotë se ai kishte kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë që të autorizonte Navalny-n të largohej nga vendi pas apelit nga gruaja e politikanit opozitar.

“Kishte kufizime të udhëtimit kundër tij në lidhje me një hetim gjyqësor dhe një çështje penale kundër Navalny-t”– tha Putini, citon Reuters. “Por megjithatë unë i kërkova zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ta lejonte atë dhe ai u largua”.

Putini shprehet se nëse dikush në Rusi do të donte të helmonte Navalny-n, Moska nuk do ta kishte lejuar atë që të fluturonte në Berlin për mjekim.

Navalny doli nga spitali muajin e kaluar dhe po vazhdon trajtimin në Gjermani.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *