Vendosni fjalën kyçe....

Artan Hoxha godet fort Bollinon: U shërbeve bosëve të krimit që urdhërojnë vrasje nga burgu


Gazetari Artan Hoxha ka sulmuar sot Carlo Bollinon, lidhur me raportimet që kanë bërë mediat në pronësi të këtij të fundit mbi atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhimo në Tiranë. Reagim që vjen pasi policia njoftoi se ka arrestuar katër persona të dyshuar mbi ngjarjen.

Hoxha ka akuzuar Bollinon se u ka shërbyer bosëve të krimit lidhur me raportimin që u kanë bërë mediet e tij atentatit, mbi të gjitha për faktin se e kanë cilësuar ngjarjen të inskenuar.

Edhe pse në fakt nuk e përmend emrin e pronarit të medias, është e qartë se për cilin bëhet fjalë, pasi reagimin e tij Hoxha e ka shoqëruar me foto të shkrimeve të portalit Shqiptarja.com, që është në pronësi të Bollinos.

Është pikërisht ky portal që bëri një artikull ku thoshte se ngjarja është e inskenuar, ndërkohë që ditë më pas, pikërisht sot raporton se janë arrestuar katër persona për këtë ngjarje të rëndë.

Artikulli i Shqiptarja.com

“Së pari, fshehët ngjarjen,
pastaj hodhët helm për inskenim të ngjarjes, duke më cilësuar se kisha sajuar atentatin dhe se isha bërë pjesë e një loje të ndyrë politike, për të akuzuar ‘Agushët e ndershëm’ të medias shqiptare…”– shkruan Hoxha.

Gazetari shkruan se “vetëm një mendje diabolike”, mund të shkojë deri aty, sa të akuzojë një qytetar të thjeshtë se ka inskenuar një atentat për të kërkuar azil në Europë.

Artan Hoxha qe i pari që denoncoi atentatin dhe thotë se e ka bërë këtë me qëllim për të:  “shpëtuar jetën e një biznesmeni dhe të familjes së tij, që kërcënohej seriozisht për t’u zhdukur, nga krimi i lidhur me fijet e pushtetit.”

Raportimi i sotëm i Shqiptarja.com

Ai i drejton dy pyetje Bollinos “Nga e dinit ju, që ngjarja ishte e inskenuar?” dhe “Kush ju tha se nuk ka as organizator dhe as porositës?” , ndërkohë që sot media e tij raporton se janë kapur autorët.

Tentativa për vrasje ndodhi më 15 tetor, kur biznesmeni Andon Dhima po futej në hyrjen e pallatit ku banon në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë.

Sot policia njoftoi se ka arrestuar 2 persona të dyshuar si autorë të atentatit dhe 2 të tjerë si bashkëpunëtorë.

REAGIMI I PLOTË I HOXHËS

Për Agushin, “Agushët e pushtetit”, brigadieren dhe shoqërinë e brigadieres…

Kur të shtunën e 17 tetorit publikova pamjet e atentatit të dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhima, së pari, fshehët ngjarjen,
pastaj hodhët helm për inskenim të ngjarjes, duke më cilësuar se kisha sajuar atentatin dhe se isha bërë pjesë e një loje të ndyrë politike, për të akuzuar “Agushët e ndershëm” të medias shqiptare…
Në fakt unë e denoncova ngjarjen, sepse kishte 48 orë që mbahej e fshehtë dhe nuk e publikonte askush, asnjë “Agush profesionist” grimier i pushtetit.
Pasi verifikova pamjet, vendngjarjen, mora dëshmi konkrete, vendosa ta publikoj vetëm me një qëllim.
Të shpëtoja jetën e një biznesmeni dhe të familjes së tij, që kërcënohej seriozisht për t’u zhdukur, nga krimi i lidhur me fijet e pushtetit.
Asgjë tjetër nuk më interesonte në atë moment, sepse ajo që dukej në pamje ishte e frikshme.
“Agushët” e pushtetit e dinë shumë mirë, që unë nuk punoj me “mall porositësi”, nuk më telefonon apo dërgon mesazh asnjë nga zyrtarët apo zyrat ku përpunohen “ngjarje thagma” që i interesojnë pushtetit.
Është e tmerrshme të shikosh, sesi me 2020-ën, media kombëtare fshehin një atentat ndaj një biznesmeni, në mes të Tiranës.
Të shikosh media informative, që na shesin moral të tipit apliko në e-albania, jo vetëm të fshehin krimin, por të sulmojnë gazetarët që denoncojnë krimin, madje të sulmojnë dhe vetë viktimën, se ka inskenuar krimin.
Vetëm një mendje diabolike, vetëm vampirë që nuk ngopen me gjak viktimash të pafajshme, mund të shkojnë deri aty, sa të akuzojnë një qytetar të thjeshtë, një biznesmen taksapagues prej dekadash në këtë vend, se ka inskenuar një atentat.
Se ka pajtuar “aktorë” për të sajuar gjoja një vrasje, pasi i duhet për të kërkuar azil në Europë!!! Ububuja…
Hej agushër, thirrini mendjes!!!
Tringëllima e “groshëve të argjendë”, që u ka dhënë pushteti, jo vetëm ju ka shurdhuar dëgjimin, por u ka verbuar shikimin dhe u ka zhveshur nga çdo vlerë profesionale dhe humane që keni patur dikur.
Ju që u shqetësuat për porositësit, po sot që janë arrestuar autorët çfarë keni për të thënë??
Nga e dinit ju, që ngjarja ishte e inskenuar?!
Kush ju tha se nuk ka as organizator dhe as porositës?!
Prandaj “agushër të pushtetit”, kafshoni gjuhën, sepse sot jeni kapur me presh në dorë(presh dhe çfarë preshi, nga ata të Çermës që reklamon Erjon Braçe).
Dhe uroni, që ata “çunat laçiano-tirons” të arrestuar dje në mbrëmje, të cilët kanë qenë shokë burgu me lloj-lloj bosësh të krimit shqiptar, të mos e hapin gojën…

Më poshtë, titulli i shkrimit ku thuhej me bindje, se ngjarja ishte e inskenuar dhe se lajmi që kisha publikuar unë nuk është i vërtetë.
Aludimet kriminale për të fshehur krimin dhe titulli i sotëm, i po të njëjtës media, ku tashmë pranon se autorët janë arrestuar nga policia…/Hashtag.al

Titulli i shkrimit të Shqiptarja.com ku ngre dyshime se atentati është i sajuar

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *