Vendosni fjalën kyçe....

Tre personave në Fier, Mallakastër e Gjirokastër u shkon formulari i pasurisë


Tre personave në Fier, Mallakastër e Gjirokastër u ka shkuar formulari i deklarimit të pasurisë.

Tre personat në fjalë janë dënuar më herë për vepra të ndryshme penale e sipas policisë dyshohet se e kanë vënë pasurinë në mënyrë të paligjshme.

Bëhet fjalë për Artan Hënaj, banues në Fier, Maksim Çelaj banues në Mallakastër e Eneza Buzo banues në Gjirokastër.

Njoftimi

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

A.H., banues në Fier, nën hetim nga autoritetet franceze për “Vepra penale me qëllime terroriste” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

M.Ç., banues në Mallakastër, nën hetim nga autoritetet franceze për “Vepra penale me qëllime terroriste” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

E.B., banues në Gjirokastër, dënuar nga Gjykata e Lartë e Landit në Düsseldorf, Gjermani, për “Vepra penale me qëllime terroriste”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *