Duket se PS-ja e ka nisur me vrull punën për përgatitjet lidhur me fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili është njëherësh edhe koordinator politik për kryeqytetin, ka shkuar në njësitë 7 dhe 13 si dhe në Baldushk, ku u ka dorëzuar kartat e anëtarësimeve socialistëve më të rinj.
Ndërsa u jepte të rinjve kartat, Veliaj është shprehur: “Tek Njësia 7 kemi thyer çdo rekord. Do vazhdojmë ta bëjmë me dashuri, përulësi e këmbëngulje. Një mirëseardhje në familjen tonë të Partisë Socialiste 10 aktivistëve të rinj në familjen më të madhe e më progresiste në Shqipëri”.
Pasi listoi investimet dhe projektet e shumta të bashkisë, Veliaj tha se PS-ja është gati për fitoren e zgjedhjeve ndërsa theksoi se “çelësi i fitores” është “dashuria për vendin, jo inati për tjetrin”.