Vendosni fjalën kyçe....

OBSH paralajmëron: Numri i vdekjeve nga Covid-19 mund të shkojë në 2 milion, edhe me vaksinë


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se numri i vdekjeve në të gjithë botën për shkak të koronavirusit mund të arrijë në 2 milion, para se një vaksinë efektive të përdoret gjerësisht në popullatë.

Kreu i urgjencave të OBSH-së, Dr Mike Ryan, tha se shifra mund të jetë më edhe më e lartë pa veprime të bashkërenduara ndërkombëtare.

Pothuajse një milion njerëz kanë vdekur me Covid-19 deri më tani në të gjithë botën që kur sëmundja u shfaq për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar.

Rastet me virusin vazhdojnë të rriten, me 32 milion raste të konfirmuara në nivel global deri më tani.

Fillimi i një rritje të dytë të kurbës së pandemisë është parë në shumë vende në hemisferën veriore kur dimri po afrohet.

Deri më tani, SHBA-ja, India dhe Brazili kanë konfirmuar më së shumti raste, duke regjistruar më shumë se 15 milion mes tyre.

Por ditët e fundit, ka pasur një rritje të infeksioneve në të gjithë Evropën, duke nxitur paralajmërime për bllokime të ngjashme me ato të imponuara në kulmin e valës së parë të pandemisë.

“Në përgjithësi brenda këtij rajoni shumë të madh, ne po shohim rritje shqetësuese të sëmundjes.”- tha Dr Ryan për rritjen e dukshme të rasteve në Evropë, citon BBC.

Ai u bëri thirrje evropianëve të pyesnin veten nëse kishin bërë mjaft për të shmangur nevojën për bllokime – dhe nëse masat alternative si testimi dhe gjurmimi, karantinat dhe distancimi shoqëror, ishin zbatuar.

Çfarë tha ai për numrin e të vdekurve?

I pyetur nëse dy milion viktima në të gjithë botën ishin të mundshme para se një vaksinë të vihej në dispozicion, Dr Ryan tha: “Nuk është e pamundur”.

Ai shtoi se nivelet e fatalitetit po binin ndërsa trajtimet për sëmundjen përmirësoheshin. Por trajtimet më të mira dhe “madje vaksinat efektive mund të mos jenë të mjaftueshme” për të parandaluar që vdekjet të tejkalojnë shifrën dy milion, tha ai.

“A jemi të gatshëm të bëjmë atë që duhet për të shmangur atë numër?”– pyeti Dr Ryan, duke u bërë thirrje qeverive të bëjnë gjithçka për të kontrolluar Covid-19.

“Në qoftë se nuk i bëjmë të gjitha, numri për të cilin flisni nuk është vetëm i imagjinueshëm, por fatkeqësisht, shumë i mundshëm.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *