Vendosni fjalën kyçe....

Porti i Durrësit hap garën për ngritjen e parkimit prej 7,000 m2, për kamionët që presin për skanim


Autoriteti Portual Durrës hap garën e prokurimit për hartimin e projektit që do të rehabilitojë zonën te ish Rezervat e Shtetit te Porta nr.4, me destinacion parkim të automjeteve para imbarkimit në tragete.

Vlera e tenderit për hartimin e projektit që do të shërbejë më vonë për ndërtimin e parkimit të ri është 2 milion lekë.

Nga Autoriteti Portual Durrës, propozohet që parkimi të shtohet me sipërfaqe të reja pas zonës ekzistuese.

Sheshi i ri prej rreth 7,000 m2 parashikohet të akomodojë automjetet që presin në rradhë për të kryer procedurat e kontrolleve të policisë kufitare, veprimet me agjensitë e udhëtimeve, procesin e skanimit dhe çdo procedurë tjetër para imbarkimit në tragete.

“Kjo sipërfaqe e re, duke u integruar në parkimin ekzistues do të bëjë që ky parkim të përdoret jo vetëm si parkim afatgjatë për autovetura dhe kamione, por edhe ditor, në të cilin mjetet presin për skanim dhe më pas në ambientin ekzistues të presin për të kryer procedurat e tjera përpara se të imbarkohen. Ky shesh i ri i sistemuar me beton mund të shërbejë në të ardhmen edhe si shesh depozitimi”, thuhet në dokumentet e prokurimit.

Projekti për rikonceptimin dhe rehabilitimin e kësaj zone, sipas Autoritetit Portual pritet t’i japë zgjidhje problemit me bllokimin e rrugës rotondo- sheshi i trageteve- tek porta 4 dhe në segmentin e rrugës në kalatën lindore, për shkak të fluksit të mjeteve në pikun e lëvizjeve.

Porti i Durrësit sot eshte i organizuar nga ana operacionale në 4 terminale: Lindori, i Trageteve, i Kontejnerëve dhe ai Perëndimor. Dy të parët sot operohen nga kompani koncensionare private, ndërsa të fundit janë ende nën administrimin e Autoritetit Portual.

Por më 2 shtator Autoriteti Portual publikoi tenderin me vlerë 3,7 mld lekë për dhënien me koncesion për 5 vitet e ardhshme shërbimin e menaxhimit dhe operimit në terminalin e kontejnerëve (që përfshin kalatën 6 në Portin e Durrësit). Afati i fundit për dorëzimin e ofertave për pjesëmarrje ne tender ishte 22 shtatori 2020.

Dokumentet e prokurimit përcaktonin se operatori privat që do të realizojë shërbimin e menaxhimit dhe operimit, gjithashtu do të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale që tarifat e shërbimeve për shkarkimin e kontejnerëve dhe të sigurisë portuale të vilen prej tij, për të kaluar direkt te llogaria bankare e Autoritetit Portual Durrës (APD), pa u përfshirë në transaksion financiar ky operator.

Ndërhyrjet që parashikohen për parkimin:

-Punimet e shtresave dhe shtrimi të sheshit me beton për siperfaqe rreth 7,000 m2

-Vendosja e të gjithë elementëve të nevojshëm në sheshin e ri, duke përfshirë ndër të tjera, vendosjen e kullave të reja për ndriçimin e sheshit dhe rrjetin e nevojshëm elektrik, rrjetin e ujërave të shiut, sistemin e fikjes së zjarrit, etj.

-Punime për trotuare, kanalizime, shtrime tubash për rrjete elektrike dhe IT, në anën e parkimit.

-Plotësimi i gjithë zonës me sinjalistikën rrugore përkatëse.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *