Vendosni fjalën kyçe....

“Një betejë me Ramën do ishte interesante” – Kryemadhi zbulon zonat ku mund të kandidojë në zgjedhje


Ndërsa i afrohemi zgjedhjeve parlamentare, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ka folur mbi strategjinë e partisë së saj dhe opsionet se ku ajo vetë do të kandidojë.

Në një intervistë për Vizion Plus, zonja Kryemadhi ka lënë të hapur opsionin se mund të kandidojë në Durrës përballë kryeministrit Edi Rama.

E pyetur se ku do kandidojë, Kryemadhi tha se “strategjia ime është Fieri, Durrësi, Tirana, Elbasanin do të shikojmë.”

Pasi gazetarja e ngacmoi duke i kujtuar se Rama do të kandidojë në Durrës, Kryemadhi tha se një përballje e tillë për të do ishte interesante.

“Po pse jo. Nuk ka asgjë të keqe, është interesante. Do ta bënte betejën shumë më interesante, por e gjitha do të jetë në funksion të maksimizimit të votës dhe të krijimit të oportuniteteve dhe mundësive për kandidatë të rinj, për djem dhe vajza të reja, për burra dhe gra të rinj në politikën shqiptare, të cilët kanë background profesional, por dhe kanë dëshirë për të ndryshuar dhe për tu bërë pjesë e politikës dhe e vendimmarrjes.
Mendoj që sot Shqipëria ka nevojë për një vendimmarrje të re, të cilët e lidhin të ardhmen e tyre me të jetuarin në Shqipëri dhe vetë slogani i LSI është ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë në aspektin e rikthimit të atij truri të rrjedhur në këto vite të larguar për tu rikthyer në Shqipëri duke pasur parasysh që ky vit sidomos do të jetë një vit shumë i vështirë për arsimin shqiptar. Unë kam pasur gjatë gjithë kësaj kohe takime më shumë të rinj dhe sidomos me gjimnazistët dhe po konstatoj që shumë gjimnazistë do ta lënë shkollën këtë vit, pra do të bëjnë një vit pushim për tu larguar dhe duke pasur parasysh që shkollat tona do të kthehen me 4 turne. Pra do të fillojë në 8 të mëngjesit dhe do të mbarojë në 10 të darkës, në asnjë vend të botën nuk ndodh kjo.”- deklaroi zonja Kryemadhi.

Mes të tjerash, ajo tha se LSI deri në fund të nëntorit do të jetë vetë në një proces zgjedhor.

“Ne si Lëvizje Socialiste për Integrim deri në periudhën fund nëntori jemi në proces zgjedhor, do të shkojmë drejt zgjedhjeve në parti, ku do të zgjedhim delegatët e Konventës, do të zgjidhen kryetarët e njësive drejtuese dhe do të shkojmë drejt zgjedhjes së Kryetarit me një anëtar një votë, dhe do të kemi dhe një rifreskim të të gjithë strukturave të partisë dhe për tu përgatitur pastaj dhe listat për deputetët e ardhshëm që do të jenë në Kuvendin e 25 prillit. Për sa i përket opozitës, opozita e ka shumë të qartë planin e saj, plani i saj është fokusim i jashtëzakonshëm i pjesëmarrjes dhe i përfshirjes në listat apo në pjesëmarrjen e të gjithë figurave, personaliteteve dhe unifikimin e opozitës, jo thjesht një unifikim për sa i përket qëndrimeve politike, por për sa i përket unifikimit të reformave të domosdoshme, për nxjerrjen e vendit nga kriza, për kalimin e krijimit të hapësirave dhe të vendeve të reja të punës sidomos të rinjtë dhe rikthimin e të rinjve në Shqipëri dhe punën e mirë paguar, më pas pastaj që janë reformat në arsim, reformat në shëndetësi.”– shtoi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së sqaroi se qëllimi kryesor i saj dhe i opozitës nuk është vetëm largimi i Ramës, por është krijimi i një hapësire dhe klime të re politike, ekonomike, për shqiptarët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *