Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj kthen “Rrugën e Durrësit” me një kalim



Ndërsa punimet në ‘Rrugën e Durrësit’ po shkojnë drejt përfundimit, duket se kryebashkiaku Erion Veliaj ka vendosur ta kthejë atë në një rrugë me një kalim.

Sipas Veliajt, Rruga e Durrësit do të shërbejë tashmë si portë kryesore hyrëse për Tiranën, kurse lëvizja në drejtim të daljes së qytetit do të bëhet nga rruga “Mine Peza”, që pastaj gjithashtu lidhet me “Zogun e Zi”.

“Do të eksperimentojmë ‘Rrugën e Durrësit’ me një kalim, pra si portën hyrëse të Tiranës, kurse shkarkimin do ta bëjmë nga rruga ‘Mine Peza’, e cila gjithashtu lidhet me ‘Zogun e Zi’. Do të kemi për herë të parë një korsi të dedikuar për autobusët, trotuare të reja dhe të gjera për këmbësorët, dhe një korsi të dedikuar për biçikletat”– ka deklaruar kryebashkiaku para kamerave.

Veliaj tha se punimet në këtë aks do të përfundojnë për pak ditë. Ai e ka konsideruar këtë një tjetër premtim të mbajtur për banorët e njësisë ndërsa flet me superlativa kur shprehet se ajo që po bën bashkia në këtë aks, është diçka që nuk ka ndodhur që në kohën e Italisë.

“Ajo që po ndodh tek ‘Rruga e Durrësit’ është diçka që nuk ka ndodhur që në kohën e Italisë. Kemi pasur një tubacion uji, i cili mbajti Tiranën fashiste, Tiranën naziste, Tiranën komuniste dhe Tiranën e viteve të tranzicionit; ishte i njëjti rrjet i trashëguar nga italianët. Në këtë aks, në tubacionet e vjetra shkarkoheshin edhe uji i shiut, edhe kanalet e zeza. Me këtë investim zgjidhim edhe furnizimin me ujë, duke shtuar dy rrjete në secilën anë të Rrugës së Durrësit. Kështu, mbajmë premtimin që i dhamë kësaj njësie për 24 orë ujë”, u shpreh Veliaj./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *