Vendosni fjalën kyçe....

“Jam zhytur në borxhe për qiranë”- Banorët e dëmtuar nga tërmeti në Rrushkull i ankohen PD-së


Ditën e sotme, zyrtarë të Partisë Demokratike janë ndalur në të tjerë fshatra të Durrësit, të prekur nga tërmetet.
Këtë radhë janë ndalur në Rrushkull, në njësinë administrative të Manzës.

Banorët shprehen se vazhdojnë të sorollaten zyrave të shtetit pa marrë asnjë zgjidhje për banesat e tyre. Përveç faktit që s’kanë ende asnjë shenjë zgjidhje për rindërtimin e shtëpive apo riparimet e dëmeve, zyrtarët lokalë po u kërkojnë dhe para për të bërë vlerësimet e dëmeve.

Të paktën kështu u shprehën banorët para kreut të PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferrajt.

Skënder Kaculi, banesa e të cilit është dëmtuar plotësisht tregon se prej 9 muajsh jeton me qira, thotë se borxhet e tij për të paguar qiranë vetëm shtohen ndërsa ende nuk sheh zgjidhje nga shteti për banesën e shembur.

“Që në tërmetin e parë. Njoftova njësitë bashkiake, njoftova të gjithë. Erdhën e panë, asgjë fare hiç. Kurse në muajin nëntor më doli shtëpia e pabanueshme me DS4. Erdhën këta të tjerët e panë, asnjë gjë hiç fare. Jetoj me qira. Kam hyrë në borxh për të paguar qiranë e shtëpisë. Unë nuk e di si është kjo punë, nuk e di… Po abuzojnë më fatkeqësinë natyrore këta. Nuk e dinë se ku është shqiptari, ku është njerzilliku njeri që ku jeton ku banon, nuk e di të them.”– thotë Kaçuli.

Fran Kola, një tjetër banor i Rrushkullit akuzon grupet e vlerësimit se kanë kërkuar para për t’i ndryshuar vlerësimin e dëmit që të rritej përfitimi. Ai thotë se do vetëm të marrë atë që i takon, pasi ka muaj që ka bërë gjithë dokumentet por deri tani s’ka marrë asnjë lek për riparimin e banesës dhe pikës së saldimit me të cilën mbante familjen.

“Këtu është kati i parë është biznes, erdhën inxhinierët e vlerësuan. Ata thanë na jep 100 mijë lekë se po e vlerësojmë DS3, DS4 si të duash, na jep paratë…. I thashë unë nuk dua me më ndihmuar gjë, absolutisht, vetëm aq sa është dëmtuar. Shifeni mirë, ju jeni specialistë edhe vlerësoni si të doni edhe unë jam dakort me një fjalë me këtë dëm që është bërë kjo shihet me sy. Nuk kërkoj absolutisht gjë që nuk më takon, për këto grantet e ndërtimit, për këto ndihmat e fukarenjve që u ka ndodh kjo fatkeqësi natyrore. Unë kërkoj vetëm atë që më takon.”– tregon zoti Kola.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *