Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Greqia ka ushtruar të drejtën e saj si edhe ne, unë e PS-ja s’e përdorim pushtetin në dëm të interesit kombëtar


Kryeministri Rama ka reaguar ditën e sotme lidhur me lajmin sipas të cilit kryeministri grek ka deklaruar ditën e djeshme se Athina do zgjerojë ujërat territorialë nga 6 në 12 kilometra në Detin Jon.

Rama e nis reagimin duke e quajtur luajtur lajmin në fjalë të rremë.

“LATINËT, GREKËT DHE DETI NË MES

Ignorantia non est argumentum, padituria nuk është argument thonë latinët.

Por fatkeqësisht sot, në kohën kur informacioni filtrohet gjithnjë e më pak në sitën e të vërtetës; kur çdokush mund të hedhë çfarë t’i teket në rrjetin mediatik të ajfonit të vet dhe kur lumenjtë e informacionit sjellin me furi gjithëfarësoj lajmesh të vërteta e të rreme përzier; kur e vërteta dhe rrena e kalojnë njësoj lumin dhe kur për më tepër, mjedisi politik e mediatik është i infektuar keqaz, botërisht, nga virusi i shpifjes – fake neës – padituria nuk luftohet më si më parë, po ushqehet gjithnjë e më shumë, sipas interesave të informatorëve të të gjitha niveleve e kategorive. Rast tipik “falja e detit grekut”, “marrja e detit nga greku”, “ikja e detit tek greku”, që është kthyer si ato këngët e vjetra që ringjallin emocione sa herë na dalin në youtube, pavarësisht se është një sajesë e vjetër tanimë, qyshse negociatat tona me palën greke po materializoheshin në një dokument konkret, bazuar mbi normat ndërkombëtare dhe të drejtën e detit.” – shkruan Rama.

Më tej kreu i qeverisë tha se e njëjta deklaratë është bërë edhe më herët nga ministri i Jashtëm i Greqisë dhe asokohe ngjalli të njëjtat reagime negative.

Bëhet fjalë për kohën kur ish-ministri i Jashtëm Bushati e homologu i tij grek, Kotzias e ekipet respektive negociuan një marëveshje detare mes vendeve.

“Deformimi skandaloz që iu bë asokohe një deklarate publike të Ministrit të Jashtëm grek për “zgjerimin nga 6 në 12 milje të ujrave detare të Greqisë” dhe sulmi i orkestruar kundër marrëveshjes së re për detin, ishte tipik rasti i ushqimit të paditurisë si argument me helmin e nacionalizmit. E njëjta deklaratë, krejt korrekte, e kryeministrit Micotaqis këto ditë, po ushqen përsëri padinë si argument tradhëtie të qeverisë sonë!” – vijon Rama.

Rama shkruan më tej se zgjerimi i ujërave territoriale të Greqisë nga 6 në 12 milje nuk nënkupton se vendi fqinj do marrë ujërat detare shqiptare.

Sipas kryeministrit, Athina po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit të miratuar në vitin 1982 ndërsa shton se të njëjtin zgjerim e ka depozituar Shqipëria në vitin 1990 dhe ajo nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët.

“E vërteta është e thjeshtë. Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujrat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982. Sa për dijeni të njëjtin zgjerim, në ushtrim të së njëjtës të drejtë, Shqipëria e ka bërë dhe e ka depozituar në mars të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara, ç’ka nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët tanë dhe qëndron në fuqi sot e përgjithmonë. Kjo e drejtë e jona, nuk është çështje negociate dhe negociatat për delimitimin e hapësirave detare nuk e cënojnë dot asesi të drejtën në fjalë. As për Shqipërinë, as për Greqinë.” – vijon ai.

Në fund të reagimit të tij Rama shkruan se nxitësit e sulmit kundër marrëveshjes së nisur nga qeveria e tij nuk e duan miratimin e kësaj marrëveshje.

Kryeministri thekson se ai dhe PS-ja përtej gabimeve nuk e kanë përdorur pushtetin asnjëherë në dëm të interesit kombëtar.

“Arsyeja pse nxitësit e sulmit kundër marrëveshjes sonë me Greqinë, e cila ende mbetet për t’u kryer në frymën e dialogut dhe të qasjes konstruktive nga të dyja palët, nuk e duan arritjen e marrëveshjes, s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e marrëveshjes që ende nuk është finalizuar. Ajo është thjesht, vetëm dhe mjerisht, një arsye lufte për pushtet. Por një gjë është e sigurtë dhe nuk e luan as topi: Ignorantia argumentum non est. Padituria nuk është argument. Nuk është as faj për sa kohë nuk përdoret si argument. Prandaj kushdo që është i interesuar për këtë çështje, s’ka pse bëhet bashkëfajtor me ata që detin e duan kos për orekset e tyre politike dhe që pa pikën e turpit, ushqejnë paditurinë me helmin e nacionalizmit. Por duhet t’i referohet burimeve serioze të informacionit e jo gojës së sharlatanëve politikë e të karagjozëve digjitalë, duke u mbrojtur nga virusi i shpifjes me maskën e dijes. Dhe nëse do t’i bjerë shkurt, duhet ta mbledhë mendjen mirë për një fakt:

Unë dhe Partia Socialiste, mund të kemi shumë të meta, mund të bëjmë plot gabime, por kurrën e kurrës nuk e përdorim pushtetin në dëm të interesit kombëtar! Ky virtyt e ka karakterizuar këtë parti qysh ditën e lindjes së saj dhe ndryshe nga të tjerët, të cilët nga padituria a babëzia ose nga të dyja bashkë, e kanë cënuar më shumë se njëherë interesin kombëtar në këto 30 vjet pluralizëm demokratik.” – mbyll reagimin kryeministri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *