Vendosni fjalën kyçe....

Tremujori i dytë rriti fitimin e sektorit bankar


Sektori bankar e mbylli 6-mujorin e parë të vitit me një fitim neto prej 7.15 miliardë lekësh. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë rezultati i sistemit bankar u rrit ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë, me një zgjerim të fitimit neto me mbi 6 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e parë.

Megjithëse fitimi progresiv vjetor i sistemit është afërsisht 32% më i ulët krahasuar me vitin e kaluar, deri këtu performanca financiare mund të lexohet pozitivisht në kontekstin e një periudhe kur ekonomia është përfshirë nga kriza më e rëndë qysh prej vitit 1997.

Vetëm në tremujorin e dytë 2020, fitimi i sistemit bankar ishte rreth 5.8 miliardë lekë, ose gati 5% më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Rënia për 6 mujorin është shkaktuar nga performance e dobët e tremujorit të parë, ku fitimet e sistemit u tkurrën me 72%.

Për 6 mujorin, të ardhurat nga interesi u rritën me 0.1% me bazë vjetore, ndërsa shpenzimet për interesa u tkurrën me 4.8%.

Kthimi nga kapitali, i llogaritur me bazë vjetore, në fund të qershorit arriti në 9.1%, në rritje për të katërtin muaj radhazi; megjithatë, edhe për këtë tregues, shifrat janë më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar, kur kthimi llogaritej në 14.3%.

Shifrat e performancës financiare të sistemit ende nuk përfshijnë një efekt të mirëfilltë të krizës në cilësinë e portofolit të kredisë. Më datë 13 mars, Banka Qendrore vendosi ngrirjen e përkohshme të riklasifikimit dhe provigjionimit të kredive të ristrukturuara, fillimisht deri në fund të qershorit, por më pas e shtyu këtë vendim deri në fund të gushtit.

Pavarësisht nga kjo, për 6-mujorin e parë të këtij viti bankat kanë llogaritur  provigjione për kreditë e humbura katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon se një pjesë e tyre mund të kenë ndjekur një qasje më konservatore në provigjionim.

Rritja e provigjioneve për kreditë ishte faktori me ndikimin kryesor në uljen e fitimit neto krahasuar me 6-mujorin 2019, ndërsa një ndikim më të vogël dhe rritja e shpenzimeve operacionale. Por, një ide më e qartë për ndikimin e krizës në bilancet e bankave do të fillojë të krijohet vetëm pas muajit shtator, kur masat e përkohshme të jenë shfuqizuar.

Edhe për qershorin raporti i kredive me probleme rezultoi i qëndrueshëm në nivelin 8.1%, më i ulëti në 11 vitet e fundit. Pavarësisht se shtimi i provigjioneve sinjalizon një rritje të sasisë së kredive të këqija, ky efekt është balancuar nga zmadhimi i portofolit total të kredisë, duke bërë që raporti të mos ndryshojë.

Sipas parashikimeve të Nismës së Vienës (projekt për ruajtjen e stabilitetit financiar në ekonomitë emergjente të Europës), është e pritshme që vala e parë e kredive me probleme në sistemin bankar të shfaqet në tremujorin e fundit të këtij viti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *