Vendosni fjalën kyçe....

PD: Ndarja e Shqipërisë në 4 rajone centralizon pushtetin dhe fondet e BE-së në duart e Ramës


Partia Demokratike nëpërmjet përfaqësueses së saj Dhurata Çupi ka akuzuar mazhorancën se po centralizon akoma dhe më shumë pushtetet në dorën e saj.

Akuzat nga selia blu bëhen për shkak të ligjit për ndarjen në 4 rajone të vendit që sipas opozitës është kundër interesit të qytetarëve pasi i largon institucionet më shumë nga ata.  

Çupi thotë se interesi i vetëm pse Rama po e bën këtë lëvizje është vetëm elektorale dhe financiare.

Dy janë arsyet e mbrapshta që do sjellë ky ligj sipas PD-së: Centralizimi i pushtetit në duart e Ramës dhe përqendrimin e fondeve të BE-së.

Deklarata e plotë:

Në muajt e fundit të qeverisjes, Ed Rama po thellon politikën e përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e tij.

Miratimi i ligjit që ndan Shqipërinë në 4 rajone është kundër interesit të qytetarëve. Pas reformës së dështuar për ndarjen e Shqipërisë në 61 bashki, ky ligj largon akoma më shumë shërbimet nga njerëzit.

Qytetarët e 57 bashkive të vendit duhet të shkojnë deri në 1 nga 4 bashkitë qendër rajoni, për të marrë një shërbim të caktuar. Kjo do ta bëjë edhe më të vështirë sesa tani komunikimin mes pushtetit lokal dhe qytetarëve. Në këtë mënyrë qeveria centralizon pushtetin me të emëruarit e saj, duke dëmtuar rëndë interesin publik.

Heqja e shërbimeve ndaj qytetarëve në vendin ku ata banojnë nuk i inetreson Edi Ramës. Interesi i tij për miratimin e ligjit absurd që ndan Shqipërinë në 4 rajone është vetëm politik, elektoral dhe financiar.

Ligji i miratuar pa zhurmë, ditën e miratimit të ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dobëson pushtetin lokal dhe rrit fuqinë e qeverisë qendrore, duke marrë kompetenca të bashkive apo të qarqeve.

Dy janë tiparet kryesore të ligjit që shkel me këmbë interesin e qytetarëve

Sjell centralizimin e pushtetit në duart e Edi Ramës

Çon të gjitha fondet e Bashkimit Europian në duart e Edi Ramës.

Çdo ndërhyrje e Edi Ramës ka të bëjë ose me pushtetin, ose me paranë. Njësoj si ndarja e dështuar territorial, ligji nuk ka për të sjellë as zhvillim, as shpërndarje më të drejtë fondesh.

Diskriminimi i bashkive apo i rajoneve do të vazhdojë sipas interesit politik dhe elektoral të Edi Ramës. Qyetarët do të dalin më të dëmtuar, më të papërfaqësuar më të braktisur.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *