Vendosni fjalën kyçe....

Opozita e bashkuar deklaratë: Ftojmë PS-në për konsensus, asnjë akt i njëanshëm s’është i detyrueshëm për opozitën e qytetarët


Teksa kryeministri Rama ka paralajmëruar prej ditësh miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, lidhur me ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor.

Opozita e bashkuar ka publikuar një deklaratë për shtyp ditën e sotme ku dënon braktisjen e tryezës në Këshillin Politik nga ana e përfaqësuesit të PS-së, Gjiknuri.

Ajo dënon braktisje e dialogut nga ana e PS-së ndërsa shton se i qëndron marrëveshjes së 14 janarit e asaj të 5 qershorit. Opozita thekson se PS-ja nuk ka asnjë arsye për refuzimin e saj për hapjen 100% të listave duke treguar mungesë vullneti për dialog.

“Opozita e Bashkuar dënon braktisjen e dialogut në Këshillin Politik nga Partia Socialiste gjatë mbledhjes së djeshme. Pavarësisht vullnetit tonë për të vijuar rrugën e dialogut dhe shqyrtimit në mirëbesim të propozimit tonë për konsensus, duke i qëndruar Marrëveshjeve të 5 Qershorit dhe 14 Janarit, Partia Socialiste zgjodhi rrugën e braktisjes së dialogut dhe të ecjes drejt akteve të njëanshme që dhunojnë këto marrëveshje politike të nënshkruara mes palëve. Opozita edhe në mbledhjen e djeshme tregoi përgjegjshmëri dhe seriozitet duke paraqitur propozimin konkret të kompromisit, për hapjen 100 % të listave të kandidatëve. Në 5 orë mbledhje, Partia Socialiste nuk dha asnjë arsye për refuzimin e propozimit tonë, duke dëshmuar edhe njëherë mungesë vullneti për dialog.” – thuhet në deklaratën e opozitë së bashkuar.

Më tej në deklaratë e opozitës së bashkuar thuhet se ndryshimet e njëanshme kushtetuese shkatërrojnë konsensusin e marrëveshjeve të 14 janarit e 5 qershorit të nënshkruara nga PS-ja, duke sjellë pasoja të rënda për stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit.

“Ndryshimet e njëanshme kushtetuese shkatërrojnë konsensusin, thyejnë dhe zhbëjnë marrëveshjet e 5 Qershorit dhe të 14 Janarit të nënshkruara nga vetë Partia Socialiste, dhe sjellin pasoja të rënda për stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit. Njëanshmëria nuk është rruga demokratike për përcaktimin e rregullave të zgjedhjeve në një vend anëtar të OSBE-së. Njëanshmëria është rruga e autokratëve që i kanë braktisur qytetarët dhe kanë frikë nga vullneti qytetar. Njëanshmëria nuk është në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe as në përputhje me aspiratën e qytetarëve për Shqipërinë në Europë.” – vijon deklarata.

Në fund, opozita ebashkuar thekson në deklaratën e saj se është e vendosur t’i qëndrojë me besnikëri interesit të vendit e shqiptarëve dhe thekson se asnjë akt i njëanshëm nuk është i detyrueshëm për opozitën e qytetarët.

Ajo i bën thirrje PS-së që të respektojë marrëveshjet e nënshkruara e të heqë dorë nga aktet e njëanshme.

“Opozita e Bashkuar është e vendosur ti qëndrojë me besnikëri interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dialogu politik është rruga e vetme për gjetjen e konsensusit. Asnjë akt i njëanshëm nuk është i detyrueshëm për Opozitën dhe aq më pak për qytetarët. Opozita e Bashkuar ripërsërit apelin për Partinë Socialiste, që të gjejë forcë dhe ti qëndrojë Marrëveshjeve që ka nënshkruar, duke hequr dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe duke vijuar dialogun. Prishja e konsensusit, thyerja dhe zhbërja e marrëveshjeve që vetë ka nënshkruar, dhe tentativa për të prishur normalitetin e zgjedhjeve të ardhshme, janë provë e qartë e dëshpërimit nga humbja e pushtetit që ka kapur prej kohësh lidershipin e Partisë Socialiste.” – mbyllet deklarata.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *