Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Gjiknuri e Qendro duhet të ishin në burg, njëri është “reformator” e tjetri nënkryetar bashkie


Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj ka reaguar pas mbylljes së aferës së kompanisë DH Albania, e denoncuar prej tij.

Ai shkruan se nga kjo histori kriminale kanë dalë të gjithë pa lagur duke përmendur ish-ministrin e Transporteve Gjiknuri e ish-kreun e ARRSH-së, Qendro.

Shehaj thekson se me aferën e Unazës së Re, përgjegjësit duhet të ishin në burg ndërkohë që drejtësia e korruptuar ka dënuar vetëm një kamarier 23-vjeçar, i cili u përdor.

Shehaj shton në fund të reagimit se qytetarët duhet të ngrihen ndaj politikanëve të korruptuar e drejtësisë së krimit.

“Kur denoncova i pari aferën e korrupsionit dhe pastrimit të parave DH Albania ( nëpërmjet publikimit të dokumentit zyrtar) nuk mund ta imagjinoja kurrë se nga kjo histori kriminale do dilnin të gjithë pa lagur. Dy vjet më pas, Damian Gjiknuri është “udhëheqës reformator” që drejton Shqipërinë drejt të ardhmes. Drejtori i Rrugëve, Qendro sapo u bë nënkryetar i Bashkisë Vlorë. Drejtësia e korruptuar e dalë nga reforma në drejtësi dënoi vetëm kamarierin 23 vjeçar i cili ishte përdorur nga politikanët e korruptuar për grabitjen.

Nuk dënuan askënd tjetër. Edhe në vendet më të korruptuara afrikane, Gjiknuri dhe Qendro do të ishin sot në burg për shumë vite. Por në Shqipëri pushtetin e ka krimi, drejtësinë e ka paraja. Një vend që shpërblen krimin nuk ka të ardhme. Një popull që mban mbi krye hajdutët dhe kriminelët do të jetë gjithmonë i varfër.

Në një vend ku politika nuk ndëshkohet, njerëzit do të jenë skllevër të politikanëve të korruptuar. Fatkeqësisht, ky është fati ynë sot. Por nuk duhet të jetë fati ynë nesër. Ndaj duhet të ngrihemi kundër politikanëve të korruptuar dhe drejtësisë së krimit.” – shkruan Shehaj në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *