Vendosni fjalën kyçe....

Trafikonin kokainë në Amsterdam, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të grupit shqiptar


Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion i ka kërkuar Gjykatës që të vendosë sekuestron mbi pronat e Ilirjan Memias dhe familjarëve të tij, për shkak se ai dyshohet se është përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Prokuroria e Amsterdamit në Holandë u ka kërkuar ndihmë juridike autoriteteve shqiptare, duke i informuar se shqiptari Ilirjan Memia dhe disa të tjerë, po hetohen atje për trafik droge.

Këta persona rezultojnë se kanë investuar para pasuri të patundshme në Shqipëri, të cilat janë evidentuar nga Prokuroria Anti-Korrupsion e cila kërkon konfiskimin e tyre.

Njoftimi i plotë i SPAK-ut

Autoritetet Gjyqësore Hollandeze, konkretisht Prokuroria e Amsterdamit, Hollandë, kanë përcjellë një kërkesë për ndihmë juridike, në të cilën kanë informuar se në Hollandë janë duke u hetuar shtetasit shqiptarë Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Ëajtaszczyk për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga legjislacioni Hollandez dhe njëkohësisht nga nenet 283/a, 333/a dhe 287 të Kodit tonë Penal.

Një pjesë të pasurive të fituara si rrjedhojë e aktivitetit kriminal dyshohet se këta shtetas i kanë transferuar në Shqipëri duke kryer investime të ndryshme. Sipas letërporosisë nga hetimet e kryera në Hollandë ka rezultuar se shtetasit Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Ëajtaszczyk prej disa viteve kanë aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë duke e trafikuar atë nga vendet e Amerikës Latine për në portin e Amsterdamit dhe me pas në vendet e tjera të Evropës si Angli, Itali etj. Gjatë këtyre hetimeve, këtyre shtetasve u janë sekuestruar sasia prej 97 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe 16 kg heroinë.

Objekti i kësaj letërporosie ka qene kryerja e verifikimeve pasurore për këta shtetas dhe familjarët e tyre në Shqipëri si dhe kryerja e verifikimeve dhe mbledhja e të dhënave që mund të çojë drejt zbulimit të pasurive të këtyre shtetasve në shtete të tjera. Mbi këtë bazë është regjistruar procedimin pasuror nr. 6 datë 18.09.2019 në ngarkim të shtetasin Ilirjan Memia.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Ilirjan Arif Memia dhe personat e lidhur me të Adriatik Arif Memia, vëllai i tij dhe Lindita Hysen Memia, bashkëshortja e vëllait të tij, kanë në Shqipëri disa pasuri të luajtshme dhe te paluajtshme. Sipas nenit 3, paragrafi 1 të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurive”, i ndryshuar, dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personit mbi të cilin ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në indicie për pjesëmarrje në krimin e organizuar. Paragrali 2 i këtij neni parashikon se dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personit të përmendur në pikën 1 të këtij neni në pronësi ose zotërim të tërthortë nga personat e afert (bashkëshorti, femijët , të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat dhe bashkëjetuesi) për të cilat prezumohet regjistrimi i rremë i pasurive përveçse kur provohet e kundërta.

Mbështetur në faktet e lartpërmendura, aktivitetin e dyshuar kriminal të shtetasit Ilirjan Arif Memia në Hollandë, mungesën e të ardhurave të ligjshme në Shqipëri dhe jashtë saj për shtetasit Ilirjan Arif Memia, Adriatik Arif Memia dhe Lindita Hysen Memia, si dhe pasuritë e konsiderueshme të paluajtshme dhe luajtshme që kanë në pronësi këta shtetas lindin dyshime të arsyeshme se këto pasuri janë si produkt i aktivitetit kriminal.

Në përfundim të procesit të verifikimeve pasurore, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar me datën 02.07.2020 Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konfiskimin e pasurisë të shtetasve Adriatik Memia dhe Lindita Memia si më poshtë:

Lloji i pasurisë Apartament. Pasuria Nr. 197/70+1- 16, ZK. 2460, VOL. 41, FQ.2 10, me adresë: Linze, Tiranë, sipërfaqe totale e pasurisë 133.4 m2, data e regjistrimit të pasurisë 22.01.2015, shuma e blerjes është 83.288 Euro.

Lloji i pasurisë Garazh. Pasuria Nr. 505/316-G4, ZK. 2460, VOL. 48, FQ. 54, me adresë Linze, Tiranë, sipërfaqe totale e pasurisë 31 m2, data e regjistrimit të pasurisë 01.12.2016, shuma e blerjes është 15.000 Euro.

Lloji i pasurisë Arë. Pasuria Nr. 13/37 ZK. 3266, VOL. 9, FQ. 166 me adresë Sauk, Tiranë, sipërfaqe totale e pasurisë 430 m2, data e rregjistrimit të pasurisë 26.10.2016, e përfituar me kontrate dhurimi.

Automjeti me targë AA 504 JM, i llojit ATP, marka Volkswagen, tipi: 2H, modeli AMAROK, viti i prodhimit 2013, shuma e blerjes është 15.000 Euro.

Automjeti me targë ADR 424, i llojit Rimorkio per transport mallrash, marka KOCH, tipi U 475BN, viti i prodhimit 2015, shuma e blerjes është 1.200 Euro.

Automjeti me targë AA 765 OS, i llojit autoveture, marka Audi, tipi 8 V, modeli A 3, viti i prodhimit 2016, shuma e blerjes është 20 000 Euro.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *