Vendosni fjalën kyçe....

Studentët e ekonomikut para dekanatit për diplomat: S’jemi të gatshëm të presim më


Kjo e enjte i gjeti studentët e Ekonomikut në protestë. Ata janë vendosur para Dekanatit për të kërkuar pajisjen me diplomën e ciklit master dhe thonë se nuk janë të gatshëm të presin më.

“Sot në dyert e fakultetit jemi sërisht ne, studentët tuaj, këtë herë për të kërkuar nga Dekanati zgjidhjen sa i takon kartonit tonë të diplomës. Ne duam kartonin tonë të diplomës, atë karton që kurorëzon 2-vjeçarin tonë të studimeve, 2-vjeçarin e sakrificave, mundit dhe lodhjes sonë. Kemi pothuajse një vit në presim, tashmë ka ardhur koha që ne të marrim atë që na takon me të drejtë, kartonin tonë të diplomës dhe nuk jemi të gatshëm të presim më. Jemi këtu për t’ju kërkuar njëzëri dërgimin e listave emërore me të dhënat tona të regjistrimit në një program master, qoftë ky shkencor apo professional për matrikullim rektoratit të Universitetit të Tiranës, si mundësia e zgjidhjes përfundimtare të problematikës tonë.”– tha një prej studentëve.

Mbi 315 studentë nuk marrin dot diplomën si pasojë e një mosmarrëveshje mes Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe dekanit të fakultetit, Dhori Kule.

Studentët i janë drejtuar Dekanatit me një shkresë ku kërkojnë një tryezë të përbashkët me dekanin Dhori Kule për të përgatitur listat emërore me të dhënat e regjistrimit për matrikulim.

Kujtojmë se edhe para disa ditëve, studentët kishin dorëzuar në rektoratin e Universitetit të Tiranës, një peticion ku kërkonin pajisjen me diplomat e ciklit master.

Rektorati pretendon se procesi i dorëzimit të emrave ka qenë i paligjshëm ndaj edhe i ka kthyer diplomat përsëri në fakultet pas 6 muajsh pritje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *