Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç: Do shkoja në bisedime nëse Kosova e çon Thaçin pavarësisht akuzave


Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha të premten se bisedimet e paqes në Kosovë duhet të rinisin pavarësisht akuzave për krime lufte të ngritura kundër Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Në një intervistë për “Politico” në Bruksel, Vuçiç sinjalizoi se ai akoma do të ishte i gatshëm të takohej me Thaçin nëse udhëheqësit kosovarë vendosnin ta bënin atë pjesë të delegacionit të tyre për bisedime në të ardhmen. Por ai tha që nuk besonte se do ta bënin këtë.

“Nuk më takon mua kjo. Unë gjithmonë mund të them se nuk do të flas me dikë që është i akuzuar për krime lufte por nuk jam unë ai që do të zgjedh. Varet nga udhëheqja shqiptare”, tha Vuçiuq.

Prokurorët në Gjykatën Speciale thanë të mërkurën se ata kishin ngritur akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kundër Thaçit dhe të tjerëve. Një gjykatës po shqyrton aktakuzën për të vendosur nëse do të konfirmojë akuzat, të cilat pretendojnë se grupi është përgjegjës për afro 100 vrasje dhe se viktimat e krimeve të tyre përfshijnë shqiptarët e Kosovës, serbët, romët dhe anëtarët e grupeve të tjera etnike.

Lajmet për aktakuzën ndikuan në planet për bisedime mbi bashkëpunimin ekonomik midis dy palëve, të udhëhequr nga Vuçiç dhe Thaçi, në Shtëpinë e Bardhë të shtunën.

Vuçic tha se ai nuk do të komentojë aktakuzën. Por ai e bëri të qartë se dëshiron që një dialog i sponsorizuar nga BE për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili ka ngecur për më shumë se një vit, të fillojë përsëri. BE ka sinjalizuar se synon të rifillojë dialogun muajin tjetër.

“Ne kemi nevojë për të rifilluar procesin tonë të dialogut me këdo që pala shqiptare do të zgjedhë si përfaqësuesin e tyre,” tha ai. “Duhet të vazhdojë. Përndryshe, çfarë mund të ndodhë? Cila do të ishte perspektiva e një rajoni të tërë?”

Bisedimet e mbështetura nga BE synojnë të arrijnë një zgjidhje të përhershme midis dy palëve, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë 1998-1999.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 por Beogradi vazhdon ta konsiderojë territorin si një provincë rebele. Me mbështetjen e aleatit të saj Rusisë, ajo ka ndaluar që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

BE e ka sqaruar se një zgjidhje e përhershme është një parakusht që secili vend të bëhet anëtar i bllokut. Serbia ka qenë në bisedimet e anëtarësimit në BE që nga viti 2014; blloku e klasifikon Kosovën si një kandidat potencial për anëtarësim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *