Vendosni fjalën kyçe....

Spahia: Historiku i gjurmimit të rasteve me koronavirus nuk vjen nga protestat por spitalet si vatra infeksioni


Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia, i ftuar në një intervistë për News 24, komentoi situatën e pandemisë së COVID 19 në vendin tonë.

Sipas tij, ka mungesë të plotë transparence në lidhje me shifrat e publikuara si nga institucionet përgjegjëse por edhe nga qeveria. Ai ishte i mendimit se rritja e numrit të infektimeve ndodhte atëherë kur shtoheshin testet.

“Një gjë është fakt, mungesa e plotë e një strategje të mirëfilltë apo e masave të ndërmarra. Ka mungesë të theksuar transparence. Situata nuk është aspak reale, sic vërtetohet cdo ditë nga përhapja e virusit në popullatën shqiptare. Dje nga 369 testime pati 82 raste pozitive sot 330 testime dhe kemi më pak të prekur, pra 50. Kjo tregon se nëse testohen më shumë persona, dalin më shumë të infektuar”,- tha Spahia.

Në situatën ku ndodhemi, ai tha se duhet të rriten kapacitetet për kryerjen e testimeve, duke përfshirë këtu edhe institucionet private.

“Unë mendoj që për shtresa të caktuara të shoqërisë sonë që kanë rrezik të lartë të preken të bëhen testime. Po ashtu duhet të testohen edhe personat asimptomatikë. OBSH ka folur njëherë për mos testimin e tyre, por ne duhet të marrim në konsideratë të kryejmë sa më shumë testime. Të rriten kapacitetet e testimit, të impenjohen edhe institucione të tjera, pse jo edhe institucionet private.

Të garantohet numri maksimal i testimeve. Një tjetër akspekt i rëndësishëm do të ishte edhe kryerja e testeve serologjike. Kështu do kishim mundësi të mos penalizionim shtresa të caktuara apo individë të caktuar, t’i linim të lirë njerëzit imunë, t’i angazhonim në profesionet e tyre pa patur frikën se do prekeshin apo transmetonin virusin”.

Spahia tha po ashtu se spitalet dhe institucionet shtetërore janë bërë vatra kryesore e përhapjes së virusit dhe jo protestat apo grumbullimet qytetare.

“Ka mungesë të thellë përgjegjshmërie në përballimin e situatës, mungojnë pajisjet dhe mjetet mbrojtëse minimale, bazike. I gjithë sistemi shëndetësor gjendet i zbuluar sa i përket mjeteve mbrojtëse. Nuk duhet të shohim vetëm infektivin por shoferët e ambulancave i ke krejtësisht të pambrojtur. QSUT është vetë problemi më i madh, ka infektime në disa reparte tek sëmundjet interne, Francezi etj.

COVID 19 po përhapet frikshëm edhe te institucionet shtetërore. Janë prekur disa punonjës në kryeministri, pavarësisht se u tentua të izolohej, të fshihej lajmi. Procesi i gjurmimit të rasteve ka dështuar me kohë. Nga Rezultoi se s’ka asnjë të prekur nga protestat deri më tani. Pra s’ka fakte që ndonjë prej pjesëmarrësve në protesta të jetë infektuar. Vatrat janë institucionet shtetërore dhe shëndetësore. Aty duhet të fokusohet shëndetësia, aty të marrë masa, të mbrojë personelin në radhë të parë. Historiku i gjurmimit të rasteve me COVID 19 nuk na çon te protesta, por të spitalet e institucionet e shtetit. Ato janë vatra më e rrezikshme”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *