Vendosni fjalën kyçe....

Basha takim me operatorët turistikë në Vlorë: Do ulim taksat e sigurojmë konkurrencë të ndershme


Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka zhvilluar në takim me operatorët turistikë të Vlorës.

Gjatë bashkëbisedimit kryedemokrati theksoi se ky sektor punëson më shumë se 93 mijë persona ndërsa në një proces zinxhir më shumë se 200 mijë të tillë.

Ai theksoi se PD-ja është duke hartuar një plan i cili do konsultohet edhe me operatorët turistikë për të arritur në një produkt që do e ndihmojë këtë sektor.

“Vlora është një nga qytetet me potencialin më të madh turistik të vendit, por sot është pa pushues e pa mbështetje. Qindra të punësuar direkt dhe indirekt janë në sektorin e turizmit. Shumë prej tyre e kanë humbur vendin e punës e të tjerë rrezikohen nëse situata vazhdon të ecë me këto ritme. Operatorët turistikë të qytetit të Vlorës më treguan shqetësimet e tyre. Pushues nuk ka, taksat e tatimet duhet t’i paguajnë, punonjësit gjithashtu. Maqedonia e Veriut për të mbështetur turizmin vendor u ka akorduar qytetarëve kupona me vlerë 100 euro për t’i shpenzuar në destinacione të ndryshme turistike. Ndërsa RAMAVIRUSI u çon fadromat e gazin lotsjellës për t’iu prishur ndërtimet pa asnjë dokument e për të krijuar hapësira për oligarkët e rradhës. Sektori i turizmit punëson 93 000 persona dhe në zinxhir, pothuajse, 200 000 të tjerë. Qindra mijëra familje jetojnë me të ardhurat nga turizmi. Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet, duke u bazuar në praktikat më të mira botërore. Ne jemi duke hartuar një plan i cili do të konsultohet më pas me operatorët turistikë për të arritur në një produkt që ta ndihmojë këtë sektor, zhvillojë dhe njëkohësisht të rrisë punësimin me paga dinjitoze.” – tha Basha.

Më tej ai theksoi se PD-ja do ulë taksat për këtë sektor dhe do vendosë taksën 9% për këtë sektor.

Basha premtoi se qeveria e re do garantojë konkurrencën e lirë në vend duke i dhënë fund politikave klienteliste.

“Taksat e larta që sot shkojnë në xhepat e oligarkëve do të reduktohen. Ne do të çlirojmë qytetarët dhe biznesin në përgjithësi nga taksat e larta, duke vendosur taksën e sheshtë 9% që t’iu japim mundësi për të rritur punësimin dhe konsumin. Ne do të bëjmë gjithçka për të garantuar konkurrencën e lirë e të barabartë në Shqipëri, duke i dhënë fund politikave klienteliste dhe korruptive, të cilat kanë përthithur deri më sot qindra milionë euro të parave publike. Ne nuk premtojmë të pamundurën, por paketa ndihme e lehtësi fiskale krejtësisht të realizueshme siç bëjnë dhe vendet tona fqinje që të vendosim barazinë në treg dhe të mundësojmë zhvillim ekonomik për vendin.” – shtoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *