Vendosni fjalën kyçe....

Basha takim me maturantët e Beratit: Do anulojmë ligjin e Arsimit të Lartë, dyfishim buxheti për arsimin


Kreu i Partisë Demokratike është takuar ditën e sotme me një grup maturantësh nga Berati.

Basha theksoi gjatë takimit me ta se qeveria Rama po e bën çdo ditë e më të pamundur ndjekjen e studimeve të larta për maturantët.

Kryedemokrati tha ndër të tjera se kjo gjendje duhet të marrë fund dhe do marrë fund me ardhjen ne krye të qeverisë të PD-së.

Basha premtoi dyfishim të buxhetit për arsimin, anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe stazhe për 10 mijë studentë.

“Kënaqësi të bisedoja dhe ndaja mendime me maturantët e Beratit për provimet e maturës dhe pengesat, ëndrrat e planet e tyre për të ardhmen.

Maturantët më treguan vështirësitë me të cilat përballen, problematikat e mëdha që shoqëruan këtë vit, paqartësitë, pamundësia për të realizuar mësimin online e deri tek niveli i lartë i vështirësisë së provimeve.

Shumë prej gjimnazistëve janë të paqartë për të ardhmen e tyre ndërsa vështirësitë ekonomike për të përballuar arsimin sa vijnë e shtohen.

Qeveria Rama po e bën çdo ditë e më të pamundur për maturantët të vazhdojnë studimet e larta.

Kjo situatë duhet dhe do të marrë fund. Me mua dhe PD asnjë nxënës nuk do të privohet nga e drejta për arsim për shkak të pamundësisë ekonomike.

Familjet e studentëve me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të përfitojnë subvencion 100% të tarifës. Familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të paguajnë gjysmën e tarifës. Për studentët në pamundësi, buxheti i shtetit do të mundësojë bursa dhe mbështetje financiare.

Ne do ta dyfishojmë buxhetin dhe do të anulojmë Ligjin e Arsimit të Lartë, do të ofrojmë stazhe për 10 mijë studentë çdo vit.

Bashkë me të rinjtë e të rejat e këtij vendi do të ndërtojmë një qeverisje normale që ofron mundësi për arsim cilësor, punësim e nje jetë normale me mundësi dhe dinjitet për të gjithë.” – shkruan Basha në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *