Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni Europian bën thirrje për rihapje të plotë të kufijve brenda BE-së


Komisioni Europian po u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së që të heqin të gjitha kontrollet kufitare brenda unionit deri në fund të qershorit.

Kështu tha Komisionerja për Punët e Brendshme Ylva Johansson, gjatë një interviste për Euronews.

Bllokimet e vendosura për shkak të koronavirusit dhe ndalimet e udhëtimit, kanë mbjellë konfuzion midis udhëtarëve, i kanë kushtuar industrisë së turizmit miliarda euro si dhe kanë minuar idenë e një Europe të bashkuar.

Qeveritë e vendeve anëtare të BE-së tani po përpiqen të koordinojnë se si dhe kur të rihapin kufijtë e tyre, dhe ministrat e punëve të brendshme të shteteve anëtare do të diskutojnë temën gjatë që do të mbahet të premten.

“Unë mendoj se po afrohemi shumë afër një situate ku duhet të heqim të gjitha kufizimet e brendshme të kufijve dhe kontrollet kufitare”– tha Johansson.

Ajo vazhdoi: “Unë do të propozoj që vendet anëtare të heqin të gjitha kontrollet e brendshme kufitare sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe unë mendoj se një datë e mirë duhet të jetë fundi i qershorit.” Më pas Johansson shtoi se do të bënte zyrtarisht propozimin gjatë takimit.

Komisioni Europian është përpjekur të sigurojë që kufizimet e udhëtimit në të gjithë bllokun të hiqen në një mënyrë të koordinuar. Johansson tha që vendet anëtare po ndiqnin udhëzimet e Komisionit për balancimin e gjendjes së shëndetit publik me koston ekonomike të pandemisë.

Tani për tani, rregullat për udhëtimin ndërkufitar janë konfuze. Italia rihapi kufijtë e saj të mërkurën në një përpjekje për të shpëtuar industrinë e turizmit. Vizitorët nga BE-ja dhe vendet e zonës Shengen nuk do të kenë nevojë për karantinë pas mbërritjes.

Ndërkohë, Austria po rihap kufijtë e saj për të gjithë fqinjët përveç Italisë, për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme lidhur me koronavirusin atje.

Franca synon të hapë kufijtë më 15 qershor. Gjermania gjithashtu planifikon të heqë paralajmërimet  kundër udhëtimit për vendet evropiane nga ajo datë, megjithëse në disa raste mund të këshillojë akoma kundër udhëtimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *