Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja bllokon rezolutën për armëpushim botëror vetëm se përmendet OBSH-ja


Shtetet e Bashkuara e kanë bllokuar votimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën do të bëhej thirrje për armëpushim botëror në kohën e pandemisë, sepse administrata e presidentit Trump u ankua për referencën që i bëhet në këtë rezolutë Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për më shumë se gjashtë javë është përpjekur ta çojë përpara këtë rezolutë me qëllim të përkrahjes së thirrjes së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për armëpushim botëror.

Shkaktari kryesor i vonesës së miratimit të saj ishte refuzimi i Shteteve të Bashkuara që të përkrahet një rezolutë që kërkon mbështetje ndaj operacioneve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjatë pandemisë së koronavirusit.

Diplomatët francezë kishin shfaqur besim se është arritur një marrëveshje për miratimin e rezolutës duke i përmendur vetëm agjencitë e specializuara shëndetësore të OKB-së, pa iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë OBSh-së, por si duket kjo nuk i ka kënaqur zyrtarët amerikanë.

“Ne kishim marrë vesh se ekzistonte një marrëveshje për këtë gjë, por duket se ata e ndryshuan mendjen”, tha një diplomat perëndimor në Këshillin e Sigurimit, shkruan “The Guardian”.

Në anën tjetër, një zëdhënës i Misionit të Shteteve të Bashkuara në OKB la të kuptohet se nëse në këtë rezolutë përmendet puna e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, atëherë aty duhet të përfshihet edhe gjuha kritike për atë se si OBSh-ja dhe Kina e kanë trajtuar pandeminë.

Pritet që bisedimet mes vendeve anëtare të vazhdojnë javën e ardhshme për të kërkuar mundësi që të kalohet kjo mosmarrëveshje dhe rezoluta të çohet përpara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *