Vendosni fjalën kyçe....

Kim Jong Un shfaqet në publik pas 20 ditësh mungesë (FOTO)


Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është shfaqur në publik për herë të parë në 20 ditë pas thashetheme që kanë qarkulluar për shëndetin e tij.

Agjensia e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA, raporton se udhëheqësi i vendit preu shiritin në inaugurimin e një fabrike të plehrave.

Artikulli shton se kur Kim u shfaq të premten, njerëzit në fabrikë “shpërthyen në brohoritje”.

Media shtetërore më vonë publikoi imazhe, ku Kim shfaqej duke prerë shiritin e kuq jashtë një fabrike.

Çfarë thotë raporti i mediave shtetërore?

Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve Koreane (KCNA), Kim u shoqërua nga disa zyrtarë të lartë të Koresë së Veriut, duke përfshirë edhe motrën e tij Kim Yo Jong.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut preu një fjongo në një ceremoni në fabrikë, në një rajon në veri të Pyongyang.

“Njerëzit që po merrnin pjesë në këtë ngjarje “shpërthyen në brohoritje” për drejtuesin suprem që po komandon marshimin e përgjithshëm të të gjithë njerëzve për realizimin e kauzës së madhe të prosperitetit “, thotë KCNA.

Kim tha që ishte i kënaqur me sistemin e prodhimit të fabrikës dhe e vlerësoi atë për kontributin në përparimin e industrisë kimike të vendit dhe prodhimin e ushqimit.

I pyetur për rishfaqjen e Kim, presidenti i SHBA-ve Donald Trump u tha gazetarëve se ai nuk dëshironte të komentojë akoma.

Si filluan spekulimet për shëndetin e Kim?

Spekulimet për shëndetin e Kim Jong Un filluan pasi ai humbi festimet e përvjetorit të lindjes së gjyshit të tij, themeluesit të shtetit Kim Il Sung më 15 Prill.

Ky përvjetor është një nga ngjarjet më të mëdha në kalendarin e Koresë së Veriut, dhe Kim zakonisht e shënon këtë ditë duke vizituar mauzoleumin ku qëndron gjyshi i tij. Më parë Kim nuk e kishte humbur kurrë këtë ngjarje.

Pas kësaj, pretendimet në lidhje me shëndetin e tij u shfaqën në një raport të një faqeje në internet të drejtuar nga dezertues të Koresë së Veriut.

Një burim anonim i tha Daily NK se lideri i Koresë së Veriut, ishte duke luftuar me probleme kardiovaskulare që nga gushti i kaluar, por ai u përkeqësua pas vizitave të përsëritura në malin Paektu.

Kjo çoi në një zinxhir raportimesh nga mediat ndërkombëtare për një histori të vetme.

Por më pas erdhi një titull më i bujshëm në mediat amerikane (CNN) se udhëheqësi i Koresë së Veriut ishte në një gjendje kritike pas një operacioni në zemër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *